Ndërlidhjet

Serbia zgjedh heshtjen përballë kushtit gjerman


Beograd
Beograd
Qeveria e Serbisë nuk ka dhënë sqarime në lidhje me shtatë kushtet e partisë politike gjermane, CDU për vazhdimin e integrimit në BE, sepse siç ka thënë bëhet fjalë për qëndrimin e një partie politike dhe jo të Gjermanisë apo të BE-së, transmetojnë mediat serbe.

Nënpresidenti i Qeverisë së Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se Beogradi nuk e ka ditur vetëm për kushtin e shtatë, e i cili ka të bëjë me lidhjen e një kontrate të shkruar për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Kosovën, para se të vazhdojë rrugën për integrime.

Ai ka saktësuar se gjashtë nga shtatë kushtet e paraqitura nga përfaqësuesi i partisë më të madhe gjermane Andreas Shokenhof, janë ditur edhe më herët, por, nuk është përgjigjur direkt, nëse Serbia do ta përmbushë edhe kushtin e shtatë.

Vuçiq ka thënë se për Serbinë është me rëndësi se çka mendon për këto kushte BE, dhe ka kujtuar qëndrimin e shefit të delegacionit të BE-së në Beograd, Vinsent Dezhert.

Ky i fundit ka thënë se kushtet e parlamentarëve gjermanë paraqesin vetëm “një mendim”, ndërsa vendimin final për nisjen e negociatave për anëtarësim të Serbisë në BE e marrin shefat e shteteve dhe qeverive të BE-së.

Sidoqoftë, Vuçic ka thënë se nuk duhet mbyllur sytë meqë ndikimi i partisë së kancelares gjermane, Angela Merkel, është i rëndësishëm dhe i madh.
XS
SM
MD
LG