Ndërlidhjet

Rusi: Largimi i USAID-it shqetëson monitoruesit e zgjedhjeve


Logo e USAID
Logo e USAID
Anëtarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Rusi Maja Grishina tha të mërkurën se largimi i USAID-it nga Rusia nuk do të rrezikojë cilësinë e zgjedhjeve ruse.

Ajo tha se monitorimi i pavarur i zgjedhjeve është “i garantuar me ligjet ruse” dhe ashtu do të vazhdojë.

Megjithatë, Lilia Shibanova, drejtuesja e grupit të pavarur monitorues Golos, që merr fonde USAID, tha se projektet e organizatës së saj “kërcënohen” nga tërheqja e USAID-it.

Shibanova tha se ajo beson se vendimi i Moskës që të mos zgjasë mandatin e USAID-it, është i lidhur pjesërisht me dëshirën e Kremlinit për të kontrolluar monitorimin e zgjedhjeve.

Lev Ponomarev, kreu i grupit për të Drejtat e Njeriut, gjithashtu tha se vendimi për të mbyllur USAID-in është i diktuar, sepse Kremlini “nuk dëshiron që Golos ta ketë mbështetjen e nevojshme për të punuar në mënyrë efektive.”

USAID njoftoi të martën se është duke e lënë Rusinë me kërkesë të qeverisë ruse.

"Ndërsa prania fizike e USAID-it në Rusi do të përfundojë, ne mbetemi të angazhuar për ta mbështetur demokracinë, të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e një shoqërie më të fuqishme civile në Rusi,”, ka thënë zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit Viktoria Nuland.
XS
SM
MD
LG