Ndërlidhjet

Kuvendi s'ka seancë sot


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës nuk do të debatojë sot për privatizimin e ndërmarrjeve publike, përfshirë këtu Postë-Telekomin e Kosovës dhe Korporatën Energjetike, si dhe likuidimin e Trepçës.

Debati për privatizimin e ndërmarrjeve publike ishte iniciuar nga subjekti opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, por gjatë seancës së fundit Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka kërkuar shtyrjen e debatit, për shkak të mungesës së ministrave nga kabineti qeveritar.

Sherif Konjufca, zëdhënës në Kuvendin e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se sot nuk do të ketë seancë.

“Kur Kuvendi i Kosovës mban seancë parlamentare, fillimisht mbahet mbledhja e kryesisë. Mbledhja e kryesisë nuk është mbajtur dhe nuk ka seancë sot”, theksoi ai.

Në anën tjetër, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka paralajmëruar për sot protesta kundër privatizimit të ndërmarrjeve në fjalë.

Përfaqësues të këtij mekanizmi kanë thënë se nuk është momenti i duhur për privatizim dhe se një proces i tillë mund ta rëndojë edhe më shumë situatën ekonomike në Kosovë.

Sipas Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, gjatë këtij viti pritet të shpallet kompania fituese për privatizimin e 75% të aksioneve të PTK-së.

Distribucioni i KEK-ut është shitur në qershor, ndërsa muajin e ardhshëm pritet të nënshkruhet kontrata me konsorciumin fitues “Limak&Çalik”.

Ende nuk ka asnjë vendim për privatizimin apo për likuidimin e kombinatit “Trepça”
XS
SM
MD
LG