Ndërlidhjet

Thaçi Ashtonit: BE, të kalojë kurtuazinë dhe fjalët e mira


Nju Jork, 24 shtator 2012.
Nju Jork, 24 shtator 2012.
Në selinë e Kombeve të Bashkuara, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, baroneshën Katherine Ashton.

“Kosova ka përmbyllur një etapë të rëndësishme, atë të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, por ky proces merr kuptim vetëm me hapjen e kapitullit të ri, atij të integrimit evropian. Relacioni mes Kosovës dhe BE-së duhet të kalojë përtej kurtuazisë dhe fjalëve të mira, në një relacion konkret kontraktual, përmes procesit të Stabilizim asocimit”, ka thënë Thaçi në takim.

Kryeministri e ka njoftuar baroneshën Ashton për angazhimin e institucioneve të Kosovës në përmbushjen e detyrimeve nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.

“Qytetarët e Kosovës janë qytetarët më të izoluar të Evropës. Ne nuk po kërkojmë status të privilegjuar e as proces të përshpejtuar. Ne po punojmë në përmbushjen e reformave që derivojnë nga udhërrëfyesi dhe presim që edhe BE-ja të mos vonohet në këtë proces“, ka deklaruar Thaçi.

Presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Thaçi po kryesojnë një delegacion kosovar në Nju Jork, i cili do të përcjellë punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
XS
SM
MD
LG