Ndërlidhjet

Foreign Policy: Pafajësia e YouTube


Ilustrim
Ilustrim
Është koha kur gjigantët e internetit të shpjegojnë kur duhet dhe kur jo të përdoret cenzura, shkruan në një artikull të saj, revista Foreign Policy, duke marrë shkas nga videoja anti-islamike Pafajësia e Myslimanëve, e cila në njërën anë shkaktoi trazira, ndërsa në anën tjetër, rriti dilemat mbi përdorimin e shprehjes së lirë.

“Në vitin 2006, aktivisti egjiptian për të drejtat e njeriut Wael Abbas postoi një video në internet, në të cilin shihej se si policia e torturonte një shofer autobusi me një shkop, duke çuar në përndjekjen e rrallë të dy policëve.

Më vonë, llogaria e Abbas-it në YouTube papritmas u pezullua, sepse ai kishte shkelur udhëzimet e kompanisë që ndalojnë “dhunën grafike ose të panevojshme”.

YouTube rivendosi llogarinë pasi grupet e të drejtave të njeriut informuan kompaninë Google, e cila ka në pronësi YouTube, se postimet e Abbas-it ishin një arkiv virtual i brutalitetit të policisë egjiptiane dhe një mjet thelbësor për reformën.

Pas rastit të Abbas-it, Google konstatoi se disa përmbajtje grafike janë shumë të vlefshme dhe nuk duhet shtypur, madje edhe kur ato mund të jenë fyese, shpjegon FP.

Së fundi, videoja “Pafajësia e Myslimanëve" e bëri kompaninë Google që t’i çojë në drejtim tjetër rregullat e saj, duke bllokuar përkohësisht videon në Egjipt dhe Libi.

Kjo, për shkak të siç thuhej “situatave shumë të ndjeshme në këto dy vende”, edhe pse qeveritë e këtyre vendeve nuk kishin kërkuar censurë ndaj videos. Ndërkaq, videoja, vetë nuk përmbante imazhe të dhunshme që do të shkelnin rregullat e YouTube-it, thuhet në artikull.

Që nga fillimi, Google e ka lejuar videon në shumicën e botës - dhe mohoi një kërkesë të Shtëpisë së Bardhë për ta hequr atë plotësisht, por e bllokoi atë në disa vende, përfshirë Indinë dhe Indonezinë, ku shkelte ligjet vendore.

Duke i marrë parasysh ngjarjet, vendimi i Google ka qenë më i miri që ka mundur të merret në këto rrethana, nënvizon FP.

Megjithatë, pak nga vendimi logjik i Google-it i është ofruar direkt përdoruesve të YouTube.

“Google është përkushtuar për shprehjen e lirë dhe bën një punë të mirë në zbulimin se si reagon ndaj kërkesave të qeverisë në mbarë botën. Duke marrë parasysh fuqinë e gjigantit në internet për të formësuar diskursin publik global, Google duhet të jetë po aq transparente në lidhje me qeverisjen e saj private të fjalës globale”, thekson FP.

Sovranët e hapësirës kibernetike, si Google, Facebook, dhe Twitter nuk kanë legjislatura apo gjykata, megjithatë, po kryejnë “rregullimin” mbarëbotëror privat të shprehjes së lirë, nganjëherë me kërkesë të qeverive, e nganjëherë duke iu përshtatur rregullave të vetë kompanisë.

Derisa përpiqen në këtë arritje të shumëllojshmërisë të klimës sociale dhe politike, ata do të vazhdojnë të përballen me dilema komplekse.

Duke u përpjekur të zhvillojnë “udhëzimet e komunitetit” për botën, ata do të jenë të tunduar dhe të bëjnëpresion për t’iu përshtatur rrethanave të tjera të reja.

“Me kaq shumë audiencë të gatshme për trazirë, provokatorë që kërkojnë justifikime, dhe me kaq shumë kanale komunikimi mes tyre, kompanitë nuk mund të pritet që të parandalojnë - ose të marrin përgjegjësinë për dhunën e provokuar nga përmbajtja e postuar në shërbimet e tyre. Çfarë ata mund të bëjnë, megjithatë,është një kontribut i madh për liri dhe civilizim, duke shpjeguar “jurisprudencën” de facto të tyre”, thuhet në artikullin e FP-së.

“Derisa Pafajësia e Myslimanëve ka qenë një rast i jashtëzakonshëm i censurës ad hoc, ai duhet të mbetet shumë i rrallë, po që se YouTube dëshiron të mbetet një platformë për lirinë e shprehjes”, shkruan Foreign Policy, duke shtuar se është e pashmangshme që raste të tilla dhe të vështira do të ngriten edhe në të ardhmen.

Përgatiti: Albana Isufi
XS
SM
MD
LG