Ndërlidhjet

Gjykatësi kosovar dënohet me 10 vjet burg


Ilustrim
Ilustrim
Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarë të EULEX-it dhe vendas në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, e shpalli Kolë Pukën, ish gjyqtar, fajtor për lëshimin e vendimeve të paligjshme gjyqësore, shpërdorim të pozitës zyrtare apo autoritetit, shpërlarje parash dhe mashtrim.
Z. Pukës iu shqiptua dënimi prej dhjetë vjetësh burgim, dhe iu ndalua ushtrimi i detyrave publike apo juridike për tre vjet pas vuajtjes së dënimit, thuhet në një njoftim të EULEX-it.

"Gjykata vërtetoi se Kolë Puka ka mashtruar Kompaninë e Sigurimeve të Kosovës në Likuidim për 1.2 milionë euro, duke plotësuar parashtresa të falsifikuara për kompensim, në emër të më shumë se njëzet palëve, që kinse kishin pësuar aksidente para luftës. Porse palët e dëmtuara nuk kishin qenë në dijeni që këto parashtresa janë plotësuar në emrin e tyre, dhe ata kurrë nuk i kishin pranuar paratë e paguara nga Kompania", thuhet në njoftim.

Si rrjedhojë e dënimit për shpërlarje parash, prokurori është i autorizuar që ta fillojë procedurën në Gjykatën e Qarkut për konfiskimin e mjeteve të fituara nga shpërlarja e parave.

Dy të akuzuarit e tjerë, Zef Marleku dhe Lon Palushaj, janë liruar nga të gjitha akuzat.

Sipas prokurorit, ata pretendohej se kishin bashkëpunuar me Pukën në mashtrimin e Kompanisë së Sigurimeve, por gjykata vërtetoi se nuk kishte dëshmi të mjaftueshme për t’i mbështetur këto akuza.
XS
SM
MD
LG