Ndërlidhjet

Jahjaga priti William Hague


Pamje nga takimi Hague - Jahjaga në Prishtinë
Pamje nga takimi Hague - Jahjaga në Prishtinë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim sekretarin e punëve të jashtme të Britanisë së Madhe, zotëri William Hague, i cili fillimisht u prit në aeroport nga Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Presidentja Jahjaga dhe sekretari i jashtëm Hague biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë, proceset demokratike nëpër të cilat po kalon vendi, konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës si dhe për angazhimin e Britanisë së Madhe në rajonin e Ballkanit me theks të veçantë në Kosovë, njofton zyra për informim e Presidencës.

Në njoftim thuhet se Jahjaga i ka dhënë mbështetje takimit të nivelit të lartë, në cilësi të barabartë, të kryeministrave të dy shteteve të pavarura dhe sovrane, të Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, si dhe i ka dhënë përkrahje takimeve të niveleve më të larta shtetërore, që do të “ndihmonte të ardhmen tonë dhe do të ndihmonte në stabilitetin e rajonit”.

Presidentja Jahjaga, ndër të tjera, tha se strukturat ilegale dhe kriminale në tri komunat në veri të territorit të Kosovës vazhdojnë të jenë pengesë të zhvillimit dhe theksoi se Republika e Serbisë duhet të ndërpresë përkrahjen për to dhe t’i shpërbëjë ato.

Ndërkohë sekretari i punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, William Hague, theksoi se Britania është një mike dhe partnere e Kosovës dhe ajo do të vazhdojë ta ndihmojë në konsolidimin e shtetësisë së saj. Ai vlerësoi raportin e Studimit të Fizibilitetit për Kosovën dhe theksoi mbështetjen e Britanisë për hapjen e dialogut për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Sekretari i jashtëm britanik Hague theksoi domosdoshmërinë e vazhdimit të reformave në vend e posaçërisht të reformës kushtetuese dhe asaj zgjedhore si dhe vendosjen e sundimit te rendit dhe të ligjit, duke thelluar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sekretari i jashtëm britanik tha se procesi i zgjerimit të BE me të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit, dhe në këtë mes edhe të Kosovës, është i një rëndësie të madhe për gjithë Evropën duke theksuar se harta e Evropës Juglindore tashmë është përmbyllur.
XS
SM
MD
LG