Ndërlidhjet

Besimtarët kosovarë falën Kurban Bajramin


Prishtinë - foto arkivi
Prishtinë - foto arkivi
Mijëra besimtarë myslimanë kanë falur sot Kurban Bajramin në xhamitë e Kosovës. Manifestimi qendror është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Me këtë rast, besimtarëve u është drejtuar Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili ka bërë thirrje për solidaritet, paqe dhe tolerancë.

“Sot, në këtë ditë feste e gëzimi, thërras të gjithë besimtarët që në zemrën dhe shpirtin e tyre të shndritë besimi i sinqertë, besim i cili motivon dhe fuqizon zemrat tona, që të jemi edhe më solidarë, më humanë, më mëshirues dhe tolerantë. Të lëmë urrejtjen dhe armiqësinë. Të motivohemi për buzëqeshje e përqafime vëllazërore”, ka thënë Tërnava.

Në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu u ka uruar Festën e Kurban Bajramit të gjithë besimtarëve myslimanë të të gjitha trojeve ku jetojnë shqiptarët.

Festa e Kurban Bajramit ka simbolikën e therjes së dashit.

Me rastin e kësaj kremte, qytetarët i kanë uruar edhe udhëheqësit e vendit: presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pranuar një telegram urimi edhe nga Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.

Në telegram, Sekretarja Clinton u uron Kurban Bajramin myslimanëve në të gjithë botën, duke shprehur përshëndetjet më të përzemërta për ata që kthehen në shtëpitë e tyre pas pelegrinazhit të sivjetshëm në Haxh dhe duke theksuar vlerat dhe mesazhet që përçon ky ritual.
XS
SM
MD
LG