Ndërlidhjet

Opozita: Shkelet armëpushimi në Siri


Siri...
Siri...
Grupet opozitare në Siri thanë se armëpushimi i së premtes është shkelur vetëm disa orë pasi hyri në fuqi, derisa raportohet për luftime të ashpra në mes të forcave qeveritare dhe kryengritësve në provincën veriore të Idlibit, njofton DPA.

Ndërsa, agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar Observatorin Sirian për të Drejtat e njeriut thotë se kryengritësit janë përpjekur që të sulmojnë një bazë ushtarake, më pak se një kilometër nga autostrada që lidh Damaskun me Alepon.

Raportohet se forcat e presidentit Bashar al Asad kanë gjuajtur me armë artilerike në një fshat të afërt me bazën.

Armëpushimi ndërmjet forcave qeveritare të Sirisë dhe kryengritësve rebelë ka hyrë në fuqi sot dhe është dashur të zgjasë gjatë katër ditëve të Festës së Kurban Bajramit.

I dërguari ndërkombëtar për krizën, Lakhdar Brahimi, ka thënë se armëpushimi mund të nisë procesin e fundit të konfliktit 19-muajsh, në të cilin kanë humbur jetën dhjetëra mijëra njerëz.

Më herët ushtria siriane ka njoftuar se do t’iu përmbahet rregullave të armëpushimit, por ka thënë se rezervon të drejtën për t’iu përgjigjur çdo sulmi të kryengritësve.

Ngjashëm, armëpushimit kanë thënë se do t’i përmbahen edhe kryengritësit.
XS
SM
MD
LG