Ndërlidhjet

Pralajmërohet protestë kundër bisedimeve me Serbinë


Pamje nga protesta e Vetëvendosjes kundër takimit Thaçi-Daçiq. Prishtinë, 22 tetor 2012.
Pamje nga protesta e Vetëvendosjes kundër takimit Thaçi-Daçiq. Prishtinë, 22 tetor 2012.
Në Kuvendin e Kosovës është paralajmëruar një protestë e re që do të organizohet të shtunën në Prishtinë - kësaj radhe, siç është thënë, nga shoqëria civile.

Protesta ka për qëllim të kundërshtojë bisedimet Kosovë-Serbi.

Ishte shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ai i cili tha para Kuvendit të Kosovës se “një numër i konsiderueshëm organizatash të shoqërisë civile janë mobilizuar për të organizuar në Prishtinë, ditën e shtunë, një protestë paqësore kundër këtyre negociatave dhe kundër shtetit policor”.

Sipas tij, “deputetët dhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje do t’i përgjigjen kësaj thirrjeje nga shoqëria civile dhe do të bashkohen me protestuesit në shesh”.

“Ky Kuvend i votave të vjedhura të shumicës nuk ka përfaqësuar asnjëherë vullnetin e lirë dhe demokratik të popullit tonë. Për pasojë, u bëjmë thirrje edhe deputetëve të këtij Kuvendi, edhe qytetarëve që të bashkohen në këtë protestë paqësore, që do të zhvillohet këtë të shtunë, kundër këtyre negociatave dhe kundër shtetit policor”, ka thënë Ymeri.

Ndaj fjalimit të tij ka reaguar kryesuesi i seancës dhe nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, i cili tha se thirrjet për protesta kundër institucioneve kushtetuese të Kosovës në ambientet e Kuvendit të Kosovës janë të ndaluara me ligj.

Komentet e deputetëve u bënë gjatë seancës të së enjtes kur deputetët po presin që atyre t’iu drejtohet edhe kryeministri Hashim Thaçi, në lidhje me takimin e tij me homologun serb, Ivica Daçiq, dhe procesin e bisedimeve me Serbinë në përgjithësi.

Thaçi dhe Daçiq janë takuar më 19 tetor në Bruksel, nën praninë edhe të shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.
XS
SM
MD
LG