Ndërlidhjet

Shkupi 2014: Rritet çmimi i realizimit


"Shkupi 2014"
"Shkupi 2014"
Realizimi i projektit “Shkupi 2014”, deri më tani i ka kushtuar Qeverisë së Maqedonisë, mbi 22 milionë euro, ende pa u përfunduar punimet në pjesën më të madhe të përmendoreve dhe objekteve tjera përcjellëse.

Për përfundimin e kompleksit të përmendoreve “Kryengritja e Karposhit” , pa pasur asnjë njoftim publik, u rrit çmimi 1.44 milion euro, derisa për sheshin e ri rreth përmendores gjigante të Filipit të Dytë, që realizohet në hyrje të Çarshisë së Vjetër në Shkup, Qeveria pa tender publik ndan mjete plotësuese rreth 3 milionë euro, duke arritur vlerën kjo pjesë e projektit, në 9,5 milionë euro.

Paratë janë publikuar në Byronë për Furnizime Publike, ndërsa pa tenderë ato do t’i dedikohen kompanisë ndërtimore “Beton”, e cila po realizon punimet e projektit në fjalë, përmes aneks-marrëveshjeve.

Në këtë rast, nuk shkelet Ligji për furnizime, sipas së cilit nuk ka nevojë për ofertë të re publike, nëse mjetet plotësuese nuk janë më shumë se 30 për qind nga marrëveshja e parë.

Por, ekspertët e çështjeve antikorrupsion konsiderojnë se pikërisht aneks- marrëveshjet lënë shumë hapësirë për të dyshuar se përmes tyre keqpërdoren mjetet publike.

“Në rastin e realizimit të projektit ‘Shkupi 2014’, u bë praktikë që gjithmonë për gjithçka të nevojiten mjete shtesë. E dimë se fillimisht sa ishin paraparë mjete për realizimin e këtij projekti dhe sa herë u rrit kostoja e realizimit të tyre, kjo hap dhe shumë dyshime”, thotë drejtoresha e organizatës “Transparencë Maqedoni”, Ana Janevska-Delleva.

Sipas saj, është normale që nganjëherë të dalin kërkesa plotësuese të paplanifikuara, për të cilat nevojiten mjete shtesë, por, siç shprehet ajo, në Maqedoni kjo ka kaluar në praktikë të paevitueshme, duke bërë kështu çdo realizim më të shtrenjtë.

Ndërkaq, qyteratët kanë mendime të ndara sa i përket realizmit të projektit “Shkupi 2014”.

Mendoj se projekti ‘Shkupi 2014’, është i mirë, por realizohet në kohë të gabuar”, thotë Metodija Pertevski.

“Mendoj se realizimi i projektit bëhet në një kohë të vështirë dhe nuk është aspak kompetent për kombin tonë. Pra, nuk dua të jap me shumë sqarime, kjo është një katastrofë, e cila s’është dashur të lejohet”, shprehet Arif Jakupi.

“I gjithë buxheti për realizimin e projektit është marrë nga e gjithë Maqedonia, edhe ajo perëndimore. Mendoj se duhej ndërruar fabrika me ato para, diçka që ka nevojë populli, e jo luana e kafshë tjera”, thotë Azis Vllashi.

“Po duhet kujtuar, Aleksandri i Madh ka jetuar në shekullin e tretë para erës sonë. Derisa maqedonasit e sotëm në këto troje kanë ardhur në shekullin e gjashtë të erës sonë. Pra, ne kemi prejardhje sllovene. Pra Alekseandri i Madh i takon një populli tjetër që jeton në këto troje me të cilin nuk kemi ose edhe mund të kemi diçka të përbashkët”, thekson Metodija Pertevski.

“Shumë më mirë do të ishte që me gjithë ato para të ndërtoheshin fabrika sesa këta kuaj që i kanë sjellë këtu”, thotë Fuad Mamuti.

“Po është i mirë projekti ‘Shkupi 2014’, mua më pëlqen”, thotë Leonora Pavlevska.

Projekti “Shkupi 2014” kryesisht ka të bëjë me emrat e historisë antike maqedonase dhe historisë më të re të shtetit maqedonas.

Derisa tri përmendore të personaliteteve historike shqiptare që janë paraparë që të jenë pjesë e këtij projekti, në terren ende s`kanë filluar punimet.

Autoritetet e komunës Qendër, kanë njoftuar se për momentin është me rëndësi që kanë arritur marrëveshje me firmat që duhet t’i kryejnë punimet për bazamentet dhe skulpturat.

“Kemi marrëveshje me firmën ndërtimore ‘Beton’ për ndërtimin e figurave të Pjetër Bogdanit, Josif Bagerit dhe Nexhati Agollit. Figurat do të jenë të gjata 5 metra, ndërsa baza e përmendoreve tre metra. Kemi arritur marrëveshje me firmën e Italisë për ndërtimin e skulpturave, do të thotë ditën e saktë nuk mund ta themi, sepse tani për tani presim fazën e ardhshëm që të punohen me bronze”, ka bërë të ditur kohë më parë Jovica Ackovski, zëdhënës i komunës Qendër.

Ndryshe, është paraparë që përmendorja e Pjetër Bogdanit, të vendoset në parkun "Gruaja", ajo e Josif Bagerit pranë Teatrit të Vjetër, ndërsa Nexhat Agolli, pranë monumentit të Goce Dellçevit, në sheshin "Maqedonia”.

Realizimi i projektit “Shkupi 2014”, deri më tani i ka kushtuar Qeverisë së Maqedonisë, mbi 22 milionë euro, vetëm për realizimin e përmendoreve pa përfshirë këtu dhe honoraret e autorëve, si dhe objekteve përcjellëse, ende pa u përfunduar punimet në pjesën më të madhe të tyre, derisa në tërësi projekti kushton disa qindra miliona euro.

Nga ana tjetër, opozita maqedonase dhe ajo shqiptare disa herë kanë hedhur dyshime se ky projekt do të ketë një kosto prej rreth 200 milion eurove, deri në realizimin e tij, që pritet të përfundoj në dhjetor të vitit 2014.

XS
SM
MD
LG