Ndërlidhjet

SHBA kërkon qetësi dhe dialog në Egjipt


Sheshi Tahrir, Kajro, 23 nëntor, 2012.
Sheshi Tahrir, Kajro, 23 nëntor, 2012.
Shtetet e Bashkuara thanë të premten se supozimi i marrjes së pushtetit gjithëpërfshirës nga presidenti i Egjiptit, Mohamed Morsi, është një çështje shqetësuese, derisa një raund i ri i protestave ka kapluar vendin.

“Vendimet dhe deklarimet e shpallura më 22 nëntor rrisin shqetësimet e egjiptianëve dhe komunitetit ndërkombëtar,” tha zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Victoria Nuland.

“Një nga aspiratat e revolucionit ishte sigurimi se pushteti nuk do të koncentrohej tepër në duart e ndonjë personi apo një institucioni”, ka thënë ajo duke iu referuar kryengritjes, që e rrëzoi presidentin veteran Hosni Mubarak.

“Ne bëjmë thirrje për qetësi dhe i inkurajojmë të gjitha partitë që të punojnë së bashku dhe ju bëjmë thirrje egjiptianëve që të zgjidhin dallimet mbi këto çështje të rëndësishme përmes dialogut paqësor dhe demokratik”, ka thënë ajo.

Më herët, presidenti i Egjiptit, Muhammad Morsi, u ka thënë mbështetësve të tij se vendi është në rrugë drejt “lirisë dhe demokracisë”.

Ai i ka bërë këto komente një ditë pasi me një dekret të ri kushtetues, i ka shtuar vetes kompetencat.

Morsi, duke iu adresuar mijëra mbështetësve jashtë pallatit presidencial në Kajro, ka thënë se është duke punuar për “stabilitetin politik, social dhe ekonomik”.

Dekreti i Morsit, sipas të cilit “vendimet dhe ligjet e nxjerra nga presidenti, janë përfundimtare dhe nuk mund t’iu nënshtrohen ankesave”, është cilësuar si autokratik.

Mijëra protestues janë tubuar sot në Kajro për ta kundërshtuar atë, ndërsa policia ka përdorur gazin lotsjellës kundër tyre.

Po ashtu ka pasur raporte për përleshje ndërmjet mbështetësve të Morsit dhe kundërshtarëve të tij në Aleksandri.
XS
SM
MD
LG