Ndërlidhjet

Pasaportat e reja kineze zemërojnë shtetet fqinje


Flamur kinez
Flamur kinez
Shtetet e Bashkuara të Amerikës planifikojnë që të ngrenë shqetësimin në lidhje me hartën kundërthënëse të printuar brenda pasaportave të reja kineze.

Harta e Kinës përfshin territoret e kontestueshme, që pretendohen nga shtetet fqinje.

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Victoria Nuland tha se harta “po shkakton tension dhe shqetësim” në rajon.

Disa shtete, si Vietnami, Filipinet, India dhe Tajvani kanë protestuar ndaj veprimit kinez.

Zyrtarët vietnamezë të imigrimit po refuzojnë që të vulosin vizat hyrëse në pasaportat e reja, duke e quajtur këtë shkelje të sovranitetit.

Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme kineze ka thënë se hartat “nuk janë bërë për të vënë në shënjestër ndonjë shtet specifik”.

Hartat zyrtare kineze për një kohë të gjatë kanë shfaqur pretendimet territoriale por, hartat në pasaportat e reja kanë shkaktuar zemërim në mes të fqinjëve të Kinës, sepse, atyre iu kërkohet që të vendosin vula në to.
XS
SM
MD
LG