Ndërlidhjet

Independent: Ndryshimi klimatik na prek të gjithëve*


Shkrirja e akullnajave
Shkrirja e akullnajave
Autor: Paddy Ashdown, president i UNICEF-it në Britani

Duke iu referuar shkrimit të sekretarit shtetëror britanik për energji dhe ndryshim klimatik, Ed Davey, në qendrën futuristike të konferencave në Doha të Katarit, në bisedimet e Kombeve të Bashkuara për ndryshim klimatik, Paddy Ashdown, në gazetën “Independent” shkruan se ai do të duhej të ishte tepër i vetëdijshëm se pjesë të Britanisë ende janë nën ujë.

Sipas tij, ai do të duhej të ishte i vetëdijshëm, po ashtu, se ndryshimi i klimës së botës do të thotë se ngjarjet sikur vërshimet e javës së kaluar në Britani, me gjasë do të bëhen edhe më të shpeshta, dhe rrjedhimisht me këtë, ndryshimi klimatik do të bëhej edhe më tepër politikisht eksplodues.

Më tutje, Paddy Ashdown, në “Independent”, shkruan se shkenca dhe politika jo gjithmonë janë partnerë të lehtë. Për dallim nga politika, shkenca nuk ka të bëjë me besueshmëri, por i peshon provat dhe ofron shpjegime të mundshme.

Në këtë kuadër, sipas shkrimit të gazetës, dëshmia shkencore për ndryshimin e klimës nga njeriu, tashmë pothuajse është e pa diskutueshme.

Shumica gjithëpërfshirëse e shkencëtarëve, besojnë se emisionet e gazrave po e nxehin klimën e botës, duke rezultuar me më tepër mot ekstrem dhe ngjarje klimatike.

Një raport i publikuar javën e fundit, tregon se akullnajat polare po shkrihen tri herë më shpejtë se sa para dy dekadash.

Këtij studim i kishin paraprirë dy raporte të tjera të rëndësishme të publikuara para bisedimeve në Doha të Katarit.

I pari, nga Programi i Ambientit i Kombeve të Bashkuara, thoshte se përqendrimi i gazrave të nxehtë të efektit të serrës, siç është dyoksidi i karbonit, në atmosferë është rritur për 20 për qind prej vitit 2000, shkruan “Independent”.

Në raportin e dytë, nga Banka Botërore, tërhiqet vërejtja për lirimin e asaj që “botën e çon në shtegun e nxehjes për 4 shkallë Celsius në fund të shekullit, nëse komuniteti global dështon të veprojë në ndryshimin klimatik, duke nxitur kataklizëm të ndryshimeve klimatike, që përfshinë valë ekstreme të nxehta, duke zvogëluar rezervat globale të ushqimit dhe rritje të nivelit të detit, që i prekë miliona njerëz”.

Më tutje, “Independent”, shkruan se vlerësohet se çdo vit në dekadën e ardhshme, 175 milionë fëmijë do të preken nga katastrofat e ndërlidhura me klimën, që do të jetë sfidë ndaj pjesës më të madhe të progresit të bërë për arritjen e Qëllimeve të Zhvillimit të Mileniumit. Rrjedhimisht, fëmijët janë ata që do ta bartin barrën më të madhe të ndikimit të ndryshimit klimatik, ndonëse kanë më së paku përgjegjësi për këtë.

Përderisa janë më të varfrit e botës që e ndjejnë ndikimin më të madh të ndryshimit të klimës - më se 95 për qind të vdekjeve nga katastrofat natyrore ndërmjet 1970 dhe 2008 kanë ndodhur në vendet në zhvillim - ndryshimi klimatik nuk i respekton kufijtë kombëtar dhe përfundimisht na prek të gjithë neve, shkruan pos tjerash, Paddy Ashdon në “Independent”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

* Titulli është përshtatur nga redaksia
XS
SM
MD
LG