Ndërlidhjet

Bora vështirëson qarkullimin në Kosovë


Prishtina, 9 dhjetor, 2012
Prishtina, 9 dhjetor, 2012
Policia e Kosovës ka njoftuar se në disa akse rrugore, si në ato rajonale, po ashtu edhe në ato lokale, ka vështirësi të qarkullimit të trafikut për shkak të të reshurave të borës dhe ngricave.

“Akset rrugore më të vështirësuara për qarkullim mbeten ato në rajonin e Pejës, por edhe në disa rajone tjera siç janë zonat malore duke përfshirë zonën e Brezovicës, Prevallës, Bajgores dhe atë të Dragashit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, e bllokuar për qarkullim, sipas policisë, mbetet rruga Pejë-Kullë për mjetet e rënda transportuese, ndërsa automjetet e vogla mund të qarkullojnë vetëm me pajisje dimërore.

“Deri në këto momente të gjitha akset rrugore, si ato rajonale, ashtu edhe ato lokale në gjithë vendin konsiderohen se janë të kalueshme, por disa prej tyre janë të vështirësuara për qarkullim të trafikut si pasojë e kushteve atmosferike, andaj Policia e Kosovës kërkon nga gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes të shtuar gjatë vozitjes dhe të përdorin pajisjet e nevojshme dimërore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Kosova dhe vendet tjera të Ballkanit janë përfshirë nga një mot i ftohtë dhe me të reshura të dendura të borës.

Në Ballkan raportohet për pesë të vdekur si pasojë e ngrirjes.
XS
SM
MD
LG