Ndërlidhjet

Serwer: Beogradi jeton në fantazi


Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer.
Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer.
Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, ka thënë se platforma e Beogradit për Kosovën tregon se autoritetet serbe vazhdojnë “të jetojnë në fantazi”.

“Fantazia më e madhe në këtë platformë është se Kosova mbetet krahinë autonome e Serbisë dhe se Serbia do të ketë sovranitet mbi Kosovën. Kjo nuk do të ndodhë sepse nuk është aspak realiste”, ka thënë Serwer për Radion Evropa e Lirë.

Ai po ashtu i ka hedhur poshtë komentet e Beogradit se me platformën në fjalë, Serbia ka hequr dorë nga ndarja e Kosovës.

“Jo, nuk pajtohem me këto vlerësime, sepse mendoj se kjo, pa më të voglin dyshim, është plan për ndarjen e Kosovës. Autoritetet në Beograd bëjnë sikur po u përgjigjen kërkesave të komunitetit ndërkombëtar për largimin e institucioneve të paligjshme serbe nga Kosova, por në fakt këto institucione vetëm se i legalizojnë”.

“Ato po ashtu propozojnë që me komunitetin serb në Kosovë, në asnjë mënyrë, të mos udhëheqin institucionet e Prishtinës, por ato të Beogradit. Andaj, platforma bashkon komunitetin dhe në këtë mënyrë krijon ndarjen”, ka thënë Serwer.

E ashtuquajtura platformë për Kosovën, që ka propozuar Beogradi ditë më parë, kërkon vetëqeverisje për serbët që jetojnë në Kosovë.

Autoritetet në Prishtinë e kanë kundërshtuar fuqishëm atë dhe kanë premtuar se nuk do të lejojnë që të gjejë zbatim.
XS
SM
MD
LG