Ndërlidhjet

Çka përmbajnë masat e Obamës për ndalesën e armëve?


Obama shpall planet për kufizim të armëve
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:11 0:00

Obama shpall planet për kufizim të armëve

Duke deklaruar se Amerika “nuk mund ta shtyjë këtë edhe më tej”, presidenti amerikan Barack Obama bëri publike të mërkurën propozimet e ndryshme dhe gjithëpërfshirëse për të ulur dhunën e shkaktuar nga armët. Ai dëshiron që masat të miratohen nga Kongresi dhe të zbatohen nga vetë ai.

Obama prezantoi planin e tij në Shtëpinë e Bardhë, në një ngjarje që u ndjek nga fëmijët, që i shkruan atij pas masakrës së muajit të kaluar, ku u vranë 20 nxënës të shkollës fillore dhe gjashtë të rritur, duke i kërkuar atij që t’i ofrojnë siguri. Të mbijetuarit dhe familjet e viktimave ishin gjithashtu të pranishëm.

Për të gjithë ata burra e gra në qytete të mëdha e të vogla, që bien viktima të dhunës së pakuptimtë për çdo ditë, për të gjithë amerikanët, të cilët llogarisin se do t’i ofrojmë siguri, le ta bëjmë gjënë e duhur. Le ta bëjmë gjënë e duhur për ta dhe për këtë vend që e duam aq shumë”, u shpreh Obama.

Propozimet e Obamës paraqesin masat më të rrepta të sigurisë në lidhje me kontrollin e armëve, në pothuajse 20 vjet, që nga viti 1994 kur Kongresi miratoi ndalesën, e cila skadoi në vitin 2004. Idetë e tij janë bazuar në gjetjet e një task force të formuar në muajin e kaluar nga Shtëpia e Bardhë. Kjo forcë u takua me grupet mbi të drejtat për të mbajtur armë, viktimat, dhe mbështetësit e kontrollit të armëve.

Presidenti dëshiron që ligjvënësit federalë të kërkojnë kontrollimin e të kaluarës së çdo blerësi të armëve, të ndalojnë armët luftarake të stilit ushtarak, ta bëjnë të paligjshëm mbajtjen e sasisë së madhe të municionit, sikur ai që u përdor në masakrën e shkollës si dhe tjetri në kinemanë në Colorado, ku vdiqën 12 njerëz.

Ligji aktual iu kërkon vetëm tregtarëve të licencuar që të kontrollojnë të kaluarën e blerësit, por 40 për qind e armëve në Amerikë tregtohen nga shitësit privatë, të cilët nuk obligohen me ligj që të kontrollojnë të kaluarën.

Shtëpia e Bardhë e quajti kontrollimin e së kaluarës si “gjënë e vetme më të rëndësishme që mund të bëjmë për të parandaluar dhunën e armëve dhe të shtënat në masë”.

Obama njoftoi gjithashtu disa masa që ka në plan t’i miratojë, duke përdorur pushtetin e zyrës së tij. Masat kanë të bëjnë me shtimin e të dhënave të shëndetit mendor në kontrollimin e së kaluarës, shtrëngimin e kufizimeve mbi pronësinë e armëve, si dhe përmirësimin e sigurisë në shkollë.

Por, ai pranoi se vetëm Kongresi mund të ndikojë për ndryshimet e vërteta.

Për të bërë një ndryshim të vërtetë dhe të qëndrueshëm, duhet të veprojë Kongresi”, tha Obama.

“Kongresi duhet të veprojë shpejt”.

Njerëzit nga të dy anët mendojnë se mbase kjo nuk do të ndodhë.

Përfaqësuesja Demokratike Carolyn McCarthy (New York), që ka shtyrë përpara kontrollin më të fuqishëm të armëve, pranoi këtë javë se “nuk do të marrim një ndalesë komplete” të armëve sulmuese.

David Keene, kreu i grupit më të madh dhe më të fuqishëm në Amerikë që lobon për mbajtjen e armëve, Shoqatës Kombëtare të Pushkëve, dukej i bindur në CNN më 13 janar se nuk do të ketë ligj të ri për armët.

"Unë do të thoja se nuk do të ketë gjasa, që ata të kalojnë ndalesë për armët luftarake përmes këtij Kongresi”, ka thënë ai, duke hedhur poshtë edhe mundësinë e ndalimit të sasive të mëdha të municionit.

Thirrja e Obamës për të kërkuar kontrollimin e së kaluarës së blerësve të armëve ka më pak kundërshtime në Kongres, por është larg nga të qenit e sigurt.

Udhëheqësit e Senatit nga të dy palët kanë shmangur shndërrimin në prioritet të çështjes së dhunës me armë, duke përmendur nevojën urgjente për zgjidhjen e krizës kombëtare të borxhit.

Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani John Boehner nuk ka bërë shumë që të nxjerrë në votim ndonjë ligj për armët, duke marrë parasysh mungesën e mbështetjes për një gjë të tillë të republikanëve, të cilët kontrollojnë dhomën.

Shumica e republikanëve, dhe amerikanët që kundërshtojnë ligjin mbi armët, në përgjithësi i shohin kufizimet qeveritare mbi pronësinë private të armëve më shumë si një kërcënim sesa vetë dhunën e shkaktuar nga armët.

Kjo bie ndesh me sentimentet aktuale të shumicës së njerëzve në Shtetet e Bashkuara, të cilët favorizojnë ligje më të forta - një ndryshim që Obama e vuri në dukje në Shtëpinë e Bardhë:

Armët e projektuara për skenën e luftës nuk kanë vend në një skenë kinemaje. Shumica e amerikanëve janë dakord me neve në lidhje me këtë”, u shpreh Obama.

Një sondazh i kryer nga AP-GfK, ka gjetur se gjashtë në 10 njerëz favorizojnë ligje më të forta mbi armët, derisa shumica favorizojnë një ndalesë mbarëkombëtare të armëve me karakter ushtarak, mitralozë...

Ndalesa e fundit federale e vitit 1994 për armët, është kritikuar se ka përmbajtur vrima ligjore, që iu ka mundësuar njerëzve të tregtojnë lirshëm edhe armë luftarake.

Ligjvënësit po hartojnë një ndalesë të re, që pritet t’i mbyllë vrimat.

Robert Spitzer, autor i librit “Politika e Kontrollit të Armëve”, thotë se studimet e 10 vjetëve të kaluara, kur ka qenë në fuqi ndalesa për armët, tregojnë se ndalesa nuk ka çuar në rënien e përgjithshme të krimeve të kryera me armë, por ka çuar në një rënie të krimeve të kryera me armë luftarake.

Kjo mbjelli idenë se armët luftarake është vështirë të sigurohen, dhe duke marrë parasysh fuqinë e zjarrit të armëve luftarake, ndalesa sigurisht se ka pasur rezultat pozitiv, sepse ai që përdor armën për të kryer krim, më mirë ta ketë një me kapacitet të vogël, sesa ndonjë me kapacitet shumë më të madh”, u shpreh Spitzer.

Ironikisht, duke pasur parasysh mungesën e vullnetit të Kongresit që të kalojë një ndalesë të re, Spitzer tha se mbështetja për ndalesën e vitit 1994 u rrit, pasi që një vagabond përdori një armë luftarake në një shkollë fillore në Kaliforni, duke vrarë disa fëmijë.

Ishte një moment shumë shokues”, tha ai, duke shtuar se ”ai tronditi vendin në atë mënyrë, si të shtënat në Connecticut që tronditën amerikanët në javët e fundit”.(a.i.)
XS
SM
MD
LG