Ndërlidhjet

NYT: SHBA tërhiqet nga projekti me Rusinë


Ilustrim
Ilustrim
Shtetet e Bashkuara po tërhiqen nga grupi punues bilateral ruso-amerikan, për shoqërinë civile, një projekt trevjeçar, i krijuar në frymën e “ripërtëritjes” ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës, si përgjigje ndaj goditjes aktuale ruse kundër grupeve të shoqërisë civile, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja New York Times.

“Grupi i punës i shoqërisë civile” ishte njëri nga 20 grupet e krijuara në vitin 2009, nga presidentët Barack Obama dhe Dmitri Medvedev, derisa Uashingtoni bënte presion të orkestruar për përmirësimin e raporteve me Kremlinin dhe e filloi një seri të projekteve bilaterale, përfshirë bashkëpunimin për Iranin dhe Afganistanin, dhe nënshkrimin e marrëveshjes së re atomike.

Megjithatë, raportet ndërmjet dy qeverive janë tensionuar, vitin e kaluar, derisa presidenti Vlladimir Putin, u kthye në këtë post, duke i akuzuar zyrtarët amerikanë për nxitjen e kundërshtimit politik në Rusi, shkruan e përditshmja New York Times.

Grupet jofitimprurëse janë veçanërisht nën presion, pasi ligjvënësit rusë e kanë miratuar një legjislacion që i kufizon shumë financimet e jashtme, meqë kërkohet që ato të regjistrohen si “agjentë të jashtëm” dhe duke e zgjeruar definimn e tradhtisë së lartë me përfshirjen e ndihmës për organizatat e jashtme.

Të premten, Thomas Melia, zëvendës sekretar i shtetit për demokraci, të drejta të njeriut dhe punë, nëpërmjet një kumtese, tha se vendimi për tërheqje nga grupi punues për shoqëri civile, është bërë “në dritën e hapave aktualë të ndërmarrë nga qeveria e Rusisë për imponim të kufizimeve në shoqërinë civile”.

Grupi punues nuk është takuar për sesion plenar për më tepër se një vit, për shkak të mospajtimeve ndërmjet dy palëve lidhur me gjerësinë dhe formatin.

E përditshmja New York Times shkruan se tensionet në raportet e dyanshme përshkallëzuan gjatë fushatave politike në të dy vendet, që aktualisht është kurorëzuar me hakmarrjet legjislative.

Pasi Kongresi amerikan e kaloi Aktin Magnitsky, që i dënon zyrtarët rusë të akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut, Rusia i ndali të gjitha adoptimet e fëmijëve rusë nga familjet amerikane dhe e ndaloi financimin amerikan të organizatave jofitimprurëse, që janë parë si aktive.

Dmitri Peskov, zëdhënës i presidentit Putin, tha “ne thellësisht na vjen keq se e kemi humbur një nga formatet e dialogut, pa e kompensuar mungesën e tij me ndonjë tjetër” dhe shtoi se “është negative për të dy palët, për Moskën dhe Uashingtonin”.

Por, sipas tij, kjo nuk paraqet humbje të madhe, veçanërisht pasi Rusia këmbëngul se punët e brendshme duhet të mos jenë subjekt i vëzhgimit ndërkombëtar, shkruan New York Times.

“Ne nuk mund t’i diskutojmë çështjet tona të brendshme”, tha ai dhe shtoi se “ne nuk do të kemi dhembje fantomike pas humbjes së asaj që nuk ishte e domosdoshme”.

Ky komision ishte nën kritika të mëdha nga ana e aktivistëve rusë, shumë prej të cilëve ankoheshin se Uashingtoni e kishte zvogëluar presionin e vet për të drejtat e njeriut, pasi i ka ndjekur qëllimet strategjike, siç është bashkëpunimi me Rusinë për Iranin dhe Afganistanin, shkruan New York Times.

“Në praktikë ka dalë se të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit dhe demokracia janë zhdukur nga agjenda e dialogut SHBA – Rusi”, thotë Yuri Dzhibladze, udhëheqës i Qendrës për Zhvillim të Demokracisë dhe të Drejtave të Njeriut, me seli në Moskë.

Sipas tij, grupi punues ishte shndërruar në “anatomi simbolike të dështimit të politikës së ripërtëritjes”, shkruan, pos tjerash, e përditshmja New York Times.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG