Ndërlidhjet

New York Times: Të vrasësh një amerikan


Ilustrim
Ilustrim
“Letra e bardhë”, e cila është zbuluar së fundmi dhe ofron arsyetim ligjor të qëndrimit se presidenti Obama ka fuqi për të urdhëruar vrasjen e qytetarëve amerikanë, që besohet se janë pjesë e Al Kaidës, nuk ka qenë edhe aq befasuese.

Dihet se zoti Obama dhe avokatët e tij besojnë se ai posedon atë fuqi në bazë të Kushtetutës dhe ligjit federal. Dihet po ashtu se ai refuzon idenë se Kongresi ose gjykatat kanë të drejtë të rishikojnë një vendim të tillë paraprakisht.

Me këtë hyrje nis artikullin e përditshmja amerikane “New York Times”, e cila po ashtu e quan shqetësuese “logjikën e shtrembëruar” të avokatëve të administratës.

Dokumenti, i siguruar dhe bërë publik nga NBC News, është shkruar nga Departamenti i Drejtësisë dhe me modesti përshkruan një tjetër dokument të klasifikuar, i cili në fakt siguron arsyetimin ligjor për urdhërimin e vrasjes së qytetarëve amerikanë.

Ai dokument nuk është siguruar ende nga Kongresi, me gjithë kërkesat e vazhdueshme të ligjvënësve. “Letra e Bardhë” është dërguar në Capitol Hill shtatë muaj pasi ushtria ka zbatuar urdhrin e presidentit Obama për të vrarë Anwar al-Awlakin, një amerikan që është zhvendosur në Jemen dhe është bërë mbështetës i xhihadizmit kundër Shteteve të Bashkuara.

Gazeta shkruan se Shtëpia e Bardhë ka luftuar që të mos mbahet asnjë seancë gjyqësore për vrasjen e zotit Awlaki apo të djalit të tij 16 vjeç, i cili është vrarë në një sulm të mëvonshëm.

Sipas “Letrës së Bardhë”, Kushtetuta dhe autorizimi i Kongresit për përdorimin e forcës pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001, i japin zotit Obama të drejtën për të vrarë çdo qytetar amerikan, për të cilin një “zyrtar i lartë dhe i informuar” vendos se është “lider i lartë operacional i Al Kaidës ose forcë ndërlidhëse” dhe paraqet “kërcënim të pashmangshëm për sulme të dhunshme”.

NYT thotë se nuk është bërë kurrë përpjekje të përcaktohet se kush mund të jetë “një zyrtar i lartë dhe i informuar”. Sipas gazetës, “Letra e Bardhë” përcakton se e vetmja “mbikëqyrje” e nevojshme për një vendim të tillë qëndron brenda degës ekzekutive dhe se nuk ka nevojë që vendimi të shpjegohet para Kongresit, gjykatave ose publikut apo, madje, të pranohet se ka ndodhur vrasja.

Dokumenti argumenton se gjykatësit dhe Kongresi nuk kanë të drejtë të vendosin ose të ndërhyjnë në vendimet që merren në kulmin e luftës. Disa zyrtarë po ashtu tërheqin paralele me oficerët policorë, të cilët përdorin dhunën për të mbrojtur të pafajshmin.

Por edhe në kohë lufte, vijon artikulli, ka disa mënyra për të rishikuar vendimet e komandantëve dhe të ushtarëve. Gjykatat ushtarake i përkasin ushtrisë, por vendimet e tyre janë subjekt i apelit te gjykatësi civil.

“Letra e Bardhë” është një përzierje konfuze e vetëmbrojtjes dhe ligjit të luftës, shkuan gazeta, duke cituar drejtoren e Qendrës për Studime të Sigurisë Kombëtare, Kate Martin.

Dokumenti duhet të lëshohej muaj më parë. Administrata është dashur të sigurojë para një numri të zgjedhur të ligjvënësve specifikat e vrasjes së zotit Awlaki dhe të djalit të tij. Presidenti është dashur ta pranojë këtë vendim dhe ta shpjegojë atë.

Ai po ashtu duhet t’i parashtrojë vendimet si ky për rishikim nga Kongresi dhe gjykatat. Nëse është e nevojshme, Kongresi mund të krijojë gjykatë të veçantë për të trajtuar këtë lloj diskutimi të ndjeshëm, ashtu siç ka krijuar për të shqyrtuar përgjimet.

Ky debat shkon me natyrën e demokracisë sonë, të marrëdhënieve midis degëve të qeverisë dhe të përgjegjësisë ndaj publikut, shkruan “New York Times”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG