Ndërlidhjet

Jahjaga takon Rasmusenin


Presidentja Atifete Jahjaga u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, Anders Fogh Rasmussen, Bruksel
Presidentja Atifete Jahjaga u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, Anders Fogh Rasmussen, Bruksel
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka takuar në Bruksel sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, Anders Fogh Rasmussen, me të cilin, sipas një njoftimi për media të kabinetit të saj, ka diskutuar zhvillimet e fundit në Kosovë, për proceset demokratike nëpër të cilat po kalon Kosova dhe i gjithë rajoni në përgjithësi.

Jahjaga gjendet në Bruskel, ku do të takojë gjatë ditës për herë të parë presidentin e Serbisë, Tomisllav Nuikolliq.

Ajo edhe në takimin me Rasmusesin ka dhënë mbështetje dialogut që po zhvillohet mes dy vendeve në Bruksel.

“Presidentja Jahjaga shprehu përkushtimin e institucioneve dhe shoqërisë së Republikës së Kosovës për t’u integruar në strukturat veriatlantike dhe në BE, duke nxitur inicimin e marrëdhënieve kontraktuale, sidomos Programin Partneriteti për Paqe, dhe duke siguruar përkushtim për përmbushjen e kritereve të nevojshme për të përshpejtuar proceset integruese”, thuhet në njoftim.

Në po të njëtën komunikatë, thuhet se sekretari i Përgjithshëm, Rasmussen vlerësoi përmirësimin që Kosova ka bërë në fushën e sigurisë, duke shprehur përkushtimin e NATO-s ndaj Kosovës.

Ai tha se forcat e KFOR-it do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë si garantuese të paqes dhe stabilitetit dhe ofrimin e asistencës në trajnimin dhe transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Rasmussen thuhet se e ka vlerësuar procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, të zhvilluar në mes të dy kryeministrave të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, duke inkurajuar arritjen e marrëveshjeve të qëndrueshme dhe tejkalimin e problemeve.

Ai theksoi rëndësinë e integrimit të komunitetit serb nga institucionet e Kosovës, krijimin e kushteve të nevojshme për zhvillim ekonomik dhe theksoi rëndësinë e shpërbërjes së strukturave paralele në veri të Kosovës.
XS
SM
MD
LG