Ndërlidhjet

Jakup Krasniqi refuzon të jetë anëtar i Kryesisë së PDK-së


Jakup Krasniqi
Jakup Krasniqi
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, nëpërmjet një letre publike ka sqaruar se nuk dëshiron të jetë pjese e strukturave të kësaj partie.

Deri në Kongresin e VI-të të kësaj partie, në punimet e të cilit zoti Krasniqi refuzoi të marrë pjesë, ai ka mbajtur postin e sekretarit të përgjithshëm të PDK-së.

“Pas zgjedhjes (pa vullnetin dhe praninë time në Këshillin Drejtues të kësaj partie) e ndiej të nevojshme që edhe një herë ta përsëris se në asnjë formë nuk dëshiroj të jem pjesë e atyre strukturave që kanë dalë nga zgjedhjet antistatutore. Zgjedhjet e zhvilluara kohë më parë në PDK, në asnjë nivel nuk qenë të rregullta, përfshirë këtu edhe Kongresin Zgjedhor të saj. Rrjedhimisht kësaj, unë nuk e njoh as “produktin” e këtij procesi “zgjedhor” finalizuar nga një Konventë jolegjitime”, thuhet në letrën e zotit Krasniqi.

Duke mohuar se bëhet fjalë për veprime të nxitura “nga ndjenja e inatit apo interesit personal”, zoti Krasniqi ka shprehur bindjen se PDK-ja është “uzurpuar padrejtësisht dhe për interesa krejt personale e klanore dhe jashtë çdo procedure demokratike”.

“Edhe kryesia e emëruar e PDK-së nuk është legjitime, rrjedhimisht as anëtarët e saj të emëruar në një takim formal ku u ftuan anëtarët e një Këshilli Drejtues, po ashtu të dalë nga një votim i dyshimtë, numëruar e radhitur sipas preferencave për tre ditë, pas një votimi të mbajtur nën siglën e Konventës së PDK-së, (konventë që nuk dihet se në ç’rrethana u emërua si e tillë në Hotelin Emerald, më 26 janar 2013) disa ditë para mbajtjes formale të saj”, thuhet në letrën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

“Unë nuk pranoj ‘dhurata’ të tilla dhe nuk më nderon radhitja e emrit tim në një forum të pazgjedhur dhe të emëruar arbitrarisht, ku shefi ndan poste partiake (ashtu si ka ndarë edhe poste qeveritare), si dhurata e lëmosha nën petkun e solemnitetit, pa asnjë kundërshtim nga të pranishmit. Pikërisht këtë unë e quaj fatkeqësi politike për partinë e për anëtarët e ndershëm të saj”.

Krasniqi vlerëson se në “Partinë Demokratike nuk ka pasur zgjedhje, por emërime të parapërgatitura për të eliminuar njerëzit më të votuar nga qytetarët e ngritur njerëz të verifikuar vetëm si servilë”.

“Rrjedhimisht del se PDK-ja është uzurpuar për të imponuar pushtet mbi njerëzit, pse jo edhe mbi pasurinë e kombit”, thuhet mes tjerash në letrën publike të zotit Krasniqi, nëpërmjet të së cilës zotohet gjithashtu se në kohën e duhur, do ta bëjë publik veprimin e tij të mëtejshëm politik.
XS
SM
MD
LG