Ndërlidhjet

AI kërkon hetim të pavarur për vrasjet e 10 shkurtit 2007


Logoja e Amnesty International
Logoja e Amnesty International
Për më shumë se gjashtë vjet familjet e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit kanë pritur drejtësi për vdekjen e djemve të tyre. Rëndë të lënduarit, duke përfshirë Zenel Zenelin, Mustafa Nerjovajn dhe Hysni Hysenin, janë gjithashtu duke pritur drejtësi, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Amnesty International.

Kjo organizatë, e cila merret me çështjen e të drejtave të njeriut, thotë se ka përsëritur vazhdimisht kërkesën që bashkësia ndërkombëtare në Kosovë t’u sigurojë atyre qasje në drejtësi, si dhe dëmshpërblim të plotë për humbjen dhe lëndimet e tyre.

Mon Balaj dhe Arben Xheladini u vranë gjatë protestës së Lëvizjes Vetëvendosje më më 10 shkurt 2007. Ata vdiqën kur pjesëtarët e një njësie policore rumune, nën komandën e policisë së Misionit të Kombeve të Bashkuara qëlluan drejt protestuesve me plumba gome.

AI rikujton edhe hetimet e brendshme që u zhvilluan në UNMIK në vitin 2007, hetime këto që përfunduan me konstatimin se plumbat e gomës ishin shfrytëzuar pavend nga një ose dy qitës rumunë. Kjo organizatë megjithatë rikujton edhe faktin se asnjë hetim i pavarur penal në Kosovë nuk është hapur ndonjëherë për vrasjet e kryera dhe lëndimet e të tjerëve, kurse hetimet që janë zhvilluar në Rumani ishin mbyllur në vitin 2009, pa i identifikuar përgjegjësit.

Mungesa e vazhdueshme për një hetim efektiv është shkelje e të drejtave themelore të njeriut, përfshirë këtu të drejtën për jetën, ndalimin e torturës dhe trajtimeve tjera jonjerëzore, dhe të drejtën për tubime paqësore e zgjidhje efektive ligjore, thuhet mes tjerash në deklaratën e Amnesty International.
XS
SM
MD
LG