Ndërlidhjet

Beogradi me strategji për asociacionin e komunave serbe


Beograd
Beograd
Serbia nuk do të ndalet nga tentativa për krijimin e bashkësisë së komunave serbe në Kosovë, është thënë sot pas takimit të mbajtur në Presidencën e Serbisë, të kreut më të lartë të këtij vendi.

Marko Gjuriq, këshilltari i presidentit Tomisllav Nikolliq u ka thënë gazetarëve pas takimit se kreu i shtetit në Serbi është i gatshëm t’i zbatojë të gjitha obligimet e Komisionit Evropian që të fitoj edhe datën për nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian.

Megjithatë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, sipas tij, duhet që të inkurajojnë Prishtinën që të bëjë hapa të nevojshëm për arritjen e marrëveshjeve në këtë moment kyç të dialogut që po zhvillohet në Bruksel.

“Ndodhemi në atë moment kur Prishtina duhet të inkurajohet dhe të jetë e gatshme për kompromis, ngase pa këtë gatishmëri do të ishte një dialog i të shurdhërve”, ka thënë këshilltari Gjuriq.

Ai ka thënë po ashtu se Serbia shkon në vazhdimin e dialogut më 4 mars në Bruksel me strategji të definuar dhe me dëshirë të sinqertë që të arrihet marrëveshja dhe kompromisi dhe se është e gatshme që të bisedojë për të gjitha çështjet rregullative në Kosovë.

Sipas tij, Serbia ka koncept të qartë në lidhje me formimin e bashkësisë së komunave serbe, e cila do të kishte kompetenca në shumë fusha me rëndësi dhe se Beogradi, vijoi ai, është i gatshëm për bisedime serioze.

Thirrja e takimit të kreut më të lartë të Serbisë pasoi deklaratat e kryeministrit Ivica Daçiq të bëra të enjten, i cili tha se dialogu është në krizë dhe se marrëveshjet në dialog janë larg arritjes.
XS
SM
MD
LG