Ndërlidhjet

Fëmijët sirianë “rekrutohen” nga grupet e armatosura


Alepo, Siri
Alepo, Siri
Organizata ndërkombëtare “Save the Children” ka tërhequr vërejtjen se gjithnjë e më shumë fëmijë sirianë janë duke u rekrutuar nga grupet e armatosura të të dyja palëve në konfliktin e Sirisë.

Në raportin e publikuar thuhet së fëmijët janë duke u përdorur si roje, informatorë, luftëtarë e madje në disa raste si mburoja njerëzore.

“Rreth dy milionë fëmijë kanë nevojë për ndihmë në Siri. Konflikti dyvjeçar ka prekur të gjitha aspektet e jetës së tyre”, thuhet në raport.

“Save the Children” po ashtu thekson se shumë fëmijë kanë humbur qasjen në kujdesin shëndetësor dhe jetojnë në kushte johigjienike, ku rreziku i sëmundjes është i lartë.

Edukimi i tyre është ndërprerë pasi rreth 2,000 shkolla janë dëmtuar nga luftimet ose janë bërë streha të përkohshme për njerëzit e zhvendosur, vë në pah raporti.

Sipas tij, fëmijët sirianë janë viktima të harruara, që përballen me vdekje, trauma dhe vujatje, dhe janë të privuar nga ndihmat themelore humanitare.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se mbi 70,000 njerëz kanë humbur jetën në konfliktin civil në Siri.
XS
SM
MD
LG