Ndërlidhjet

Siria i kërkon OKB-së të hetojë “sulmin kimik”


Siri
Siri
Qeveria siriane thotë se i ka kërkuar sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, që të hetojë sulmin e dyshuar kimik, të kryer nga rebelët në veri të Sirisë.

Ambasadori i Sirisë në OKB, Bashar Ja-afari, ka thënë se qeveria ka kërkuar nga Ban që të formojë një komision të pavarur për rastin.

Zëdhënësi i OKB-së, Martin Nesirky, ka thënë se ky institucion nuk ka marrë ndonjë kërkesë zyrtare.

Qeveria siriane dhe rebelët që luftojnë regjimin e presidentit Bashar al-Assad akuzojnë njëri-tjetrin për kryerjen e një sulmi vdekjeprurës kimik të martën.

Koalicioni Kombëtar i Sirisë, grup opozitar, ka kërkuar po ashtu hetime ndërkombëtare.

Zyrtarët amerikanë dhe evropianë thonë se nuk ka prova që sugjerojnë se ka ndodhur një sulm i tillë.

Konflikti civil në Siri ka nisur në mars të vitit 2011. Sipas OKB-së, rreth 70,000 njerëz kanë humbur jetën në trazira.
XS
SM
MD
LG