Ndërlidhjet

Serbët bllokojnë hyrjen në ndërtesën e Gjykatës Themelore në veri të Mitrovicës


Ilustrim
Ilustrim
Disa qytetarë serbë kanë bllokuar sot në mëngjes hyrjen në ndërtesën e Gjykatës Themelore në veri të Mitrovicës, ku është dashur të merret vendimi ndaj gjashtë të akuzuarve për trazirat e marsit të vitit 2008, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Forcat e misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, nuk kanë arritur të depërtojnë në ndërtesë.

Të dyja dyert që çojnë kah gjykata janë bllokuar me disa kamionë. Me ta është edhe udhëheqësi i serbëve të atjeshëm, Radenko Nedelkoviq.

Rasti ka të bëjë me trazirat e marsit 2008, kur gjykata në pjesën veriore të Mitrovicës u sulmua nga një numër i madh i njerëzve duke shkaktuar vdekjen e një zyrtari ndërkombëtar nga Ukraina. Kjo çoi në mbylljen e gjykatës dhe ndërhyrjes së KFOR-it.

Të akuzuarit janë Marjan Ilinçiq, Zoran Çaviq, Dragan Milojeviq, Miodrag Raliq, Avni Krasniqi dhe Nebojsha Joviq.

"Personat akuzohen për okupimin e paligjshëm të Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë e cila gjendet në pjesën veriore të Mitrovicës, thirrje për rezistencë, pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, pjesëmarrja në grup që kryen vepër penale, rrezikim i personelit të Kombeve të Bashkuara, dëmtim i pronës së luajtshme, nxitja e urrejtjes, përçarjes ose e mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, dhe pjesëmarrjen në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare".

Zyrtarët e EULEX-it kanë konfirmuar se seanca e planifikuar për sot është shtyrë.
XS
SM
MD
LG