Ndërlidhjet

Thaçi: Në Kosovë s’mund të ketë Republika Sërpska


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se serbët në veri do të jenë humbësit më të mëdhenj nëse nuk arrihet marrëveshja midis Prishtinës dhe Beogradit.

Qeveria e Serbisë ka refuzuar marrëveshjen e propozuar në Bruksel dhe ka kërkuar vazhdimin e bisedimeve.

“Më vjen keq për këtë, por fakti se kanë kërkuar vazhdimin e dialogut, do të thotë se ky proces nuk mund të quhet i dështuar”, ka thënë Thaçi për gazetën NIN.

Kryeministri po ashtu ka thënë se në Kosovë nuk mund të ekzistojnë sisteme paralele në polici, gjyqësi dhe asnjë ngjashmëri me statusin e Republika Sërpskës, pasi, sipas tij, rrethanat në Kosovë janë ndryshe.

Po sipas Thaçit, liderët në Beograd më shumë brengosen për territorin, sesa për serbët dhe është koha që të marrin vendime racionale, e jo emocionale.

Ai, megjithatë, ka shfaqur besimin se do të arrihet marrëveshja, ndërsa liderët e Serbisë i ka porositur se janë të mirëseardhur në kabinetin e tij kurdo që të duan të vizitojnë Kosovën.
XS
SM
MD
LG