Ndërlidhjet

Komunat në Maqedoni: Revanshizëm politik e etnik

pamje nga Kumanova
pamje nga Kumanova
Përderisa partitë politike janë duke drejtuar akuza të rënda ndaj njëra-tjetrës për revanshizëm politik në rastin e komunës së Tetovës, Gostivarit, Ohrit etj, gjithashtu edhe për revanshizëm etnik, si në rastin e komunës së Strugës dhe atë të Kërçovës, Avokati i Popullit në Maqedoni, Ixhet Memeti, bën të ditur se institucioni që drejton ai, tashmë ka ngritur procedurë juridike në bazë të ankesave të administratorëve, të cilët u larguan nga puna me ndërrimin e kryetarit të komunës menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve vendore.

Mirjana Najçevska, aktiviste për të drejtat e njeriut thekson se largimi i administratorëve në nivel komunal nuk paraqet asgjë të re për realitetin e hidhur, në të cilin ndodhet Maqedonia, sa i përket profesionalizimit të institucioneve. Përkundrazi, shton ajo, ky është problem që trashëgohet tashmë disa cikle zgjedhore.

“Pas përfundimit të zgjedhjeve, pa përjashtim, qofshin ato lokale, apo parlamentare bëhet ndërrimi pothuajse i tërë administratës, në të gjitha nivelet. Kjo flet qartë se në Republikën e Maqedonisë, jo vetëm se nuk kemi të bëjmë me sundimin e së drejtës, por Maqedonia si shtet, nuk e ka kuptuar drejt esencën e demokracisë, e cila nënkupton kontinuitet në ndërtimin dhe ngritjen e një administrate profesionale”, thotë Najcevska.

Ajo shton se në fund, humbës janë qytetarët, të cilët nuk arrijnë të marrin shërbime profesionale, sepse administrata është në funksion të politikës dhe jo kërkesave të tyre.

Nga ana tjetër, ekspertët juristët nënvizojnë se është evident mosbesimi i qytetarëve ndaj organeve të drejtësisë, andaj në më shumë raste ata hezitojnë të kërkojnë drejtësinë në gjykata.

Albulena Karaga, nga organizata joqeveritare “CIVIL”, e cila nga afër ka ndjekur procesin zgjedhor në zgjedhjet e fundit lokale, thotë se presioni i politikës ndaj administratës gjatë tërë kohës ishte shumë prezent.

“Komplet sistemi është i partizuar dhe që politika ngelet vetëm në duart e partive, andaj e theksoj, nuk është e politizuar, por e partizuar, ishte shumë evidente gjatë tërë kohës sa ishim në terren. Presioni që bëhej, veçanërisht ndaj administratorëve , ata thjesht kalonin ditë të tëra duke mos kryer detyrat e tyre të përcaktuara me vendin e punës, por e kalonin kohën duke bërë agjitacion për partinë e caktuar, dhe fakti se kërcënoheshin me vendet e punës dukej shumë qartë”, thekson Karaga.

Ajo shton se kjo praktikë, fatkeqësisht është mishëruar në mentalitetin e shoqërisë së Maqedonisë.

“Sa herë që ne dilnim, duke i detektuar këto dukuri ballafaqoheshim me komente të llojit se ‘kjo s’është asgjë e re, kjo dihet’. Pavarësisht se kjo është bërë praktikë dhe pavarësisht se kjo është bërë si pjesë normale e funksionimit të shoqërisë duhet ngritur zëri nga të gjitha organet kompetente se kjo s’është në rregull”.

“Ne, si OJQ, duhet të jemi promotor për të parandaluar keqpërdorimin apo thënë kushtimisht instrumentalizmit të administratës nga ana e politikë-bërësve”
, shton Karaga.

Kryetarët e komunave të sapozgjedhura, thonë se nuk e kanë shkelur ligjin, por nga puna janë larguar ata persona, të cilëve u ka skaduar kontrata për marrëdhënie pune dhe për të njëjtit, komuna nuk ka më nevojë.

Mirjana Najcevska thekson se zbrazëtirat ligjore për një kohë të gjatë interpretohen në mënyrë që t’u shërbejnë interesave të politikës dhe jo interesave të qytetarëve.

“Cilado qoftë formë e ngjyrimit politik, paraqet pasiguri juridike për shoqërinë. Në ligjet e vendit, saktësisht theksohet se administrata duhet të jetë neutrale dhe ku saktësisht janë përcaktuar rregullat dhe procedurat përmes së cilave garantohet funksionimi i një administrate të efikase, që do t’u ofrojë shërbime cilësore qytetarëve".

"Por, fatkeqësisht, kjo nuk zbatohet, sepse bashkë me ndërrimin e kryetarit të komunës, pëson ndryshim e tërë administrata dhe Maqedonia ka humbur një mori mundësisht dhe mjete për të aftësuar administratën nga paratë evropiane pikërisht për këtë arsye”,
thekson Najcevska.

Menjëherë pas marrjes së timonit, kryetarët e komunave ku është bërë ndërrimi i pushtetit nga një garniturë politike, në tjetrën në shumë qytete të vendit dhe kanë larguar nga puna dhjetëra administratorë me arsyetimin se u kanë skaduar kontratat për marrëdhënie pune dhe se për të njëjtit komuna nuk ka nevojë. Ndërkohë, që menjëherë pas tyre, kanë pranuar të tjerë punëtorë.
XS
SM
MD
LG