Ndërlidhjet

Një kuzhinë për të ndryshuar perceptimet e amerikanëve…

Në Shtetet e Bashkuara, Irani është më shumë i njohur për ambiciet e tij bërthamore, sesa për “fesenjanin” – përgatitje tradicionale e mishit të pulës, apo për shegat dhe arrat. Por, Jon Rubin do të donte ta ndryshonte një gjë të tillë.

Ai është bashkëthemelues i Kuzhinës së Konfliktit, një restoran në Pitsburg të Pensilvanisë, i cili është hapur në vitin 2010 dhe shërben vetëm ushqime nga vendet, të cilat janë në konflikt me Shtetet e Bashkuara.

Përveç Iranit, lista e tij përfshin edhe kuzhina të Afganistanit, Venezuelës dhe Kubës.

Rubin, i cili është edhe profesor arti në universitetin prestigjioz të qytetit, Carnegie Mellon, thotë se ideja për Kuzhinën e Konfliktit ka lindur nga dy dëshira: për të gjallëruar menynë ushqimore të Pitsburgut dhe për t’iu ofruar amerikanëve një mënyrë të re të të menduarit për vendet që i kanë frikë.

Kemi menduar të krijojmë një restoran, i cili lidh njerëzit me vendet si Irani, me të cilat ose jemi në konflikt retorik, ose në aspketin e veprimit ushtarak. T’i lidhë ata përmes thjerëzave të ndryshme, të kulturës, ushqimit – që gjithmonë janë mënyra më e mirë për të mësuar për një vend”, thotë Rubin.

Por, Kuzhina e Konfliktit është më shumë se një restoran. Dy bashkëthemeluesit i referohen asaj si një “projekt”, i cili u mundëson njerëzve të hanë së bashku, të diskutojnë dhe të përjetojnë kulturën e vendeve, të cilat janë pothuajse gjithmonë të portretizuara negativisht nga politikë-bërësit dhe mediat.

Anëtarët e stafit të kuzhinës u flasin klientëve për kulturën e vendit që është në meny, me qëllim që të sfidojnë supozimet e tyre për iranianët, kubanezët apo afganët, thotë partneri i Rubinit, Weleski.

Misioni kryesor i projektit është të krijojë mundësi për një diskutim publik. Ju nuk mund të gjeni shpesh të huaj në rrugë që flasin për politikat e Iranit apo të Koresë së Veriut, por gjeni njerëz që flasin për kohën apo ekipet sportive, gjë që nuk është keq. Por, a nuk do të ishte mirë të kishim biseda më të larmishme edhe në jetën e përditshme dhe jo vetëm në media”, thotë Weleski.

Jo shumë kohë më parë, stafi dhe konsumatorët e Kuzhinës së Konfliktit kanë mbajtur një darkë me njerëzit në Teheran, përmes Skype-it. Grupi në Pitsburg dhe grupi në Teheran kanë shërbyer me të njëjtat enë dhe janë ulur në tavolina të gjata. Weleski thotë se biseda ka rrjedhur aq natyrshëm, sikur të gjithë të ishin në të njëjtën dhomë.

Momentet si këto janë shumë efektive për njerëzit, sepse ata kanë ndjenjën se dikush në anën tjetër të botës ha të njëjtin ushqim dhe kalon nëpër situata të njëjta të jetës së përditshme”, thotë Weleski.

Darka përmes Skype-it janë mbajtur po ashtu me regjisorë filmash dokumentarë në Kabul dhe me aktivistë të radios në Karakas.

Pra, për të eksploruar plotësisht kulturën dhe kuzhinën e secilit vend, Kuzhina e Konfliktit përqendrohet në secilin vend veç e veç. Ajo ndryshon menynë dhe dekorin e dritareve çdo të gjashtin muaj.

Ndryshojnë madje edhe paketimet e ushqimit. Kutitë dhe mbështjellësit kanë të shkruara fakte dhe thënie nga njerëzit që ende jetojnë atje dhe nga ata që kanë imigruar në Shtetet e Bashkuara. Aktualisht, në radhë është Irani.

Dhe, përveç tij, Afganistanit, Venezuelës dhe Kubës, Rubin dhe Weleski mendojnë të përfshijnë edhe Korenë e Veriut, e cila, së fundmi, ka zemëruar Uashingtonin me kërcënimet për sulme bërthamore.

Megjithatë, ata përjashtojnë Sirinë, për të cilën presidenti Barack Obama ka shfaqur dyshimet se ka kaluar “vijën e kuqe”, duke përdorur armët kimike kundër popullit të saj.

Do të doja të përqendrohem në Siri, por duhet të lëvizim përtej Lindjes se Mesme. Duhet të kemi diskutime nga e gjithë bota”, thotë Rubin. (v.tela)
XS
SM
MD
LG