Ndërlidhjet

Ligji përballë ekonomisë joformale


Tregu i gjelbër në Maqedoni
Tregu i gjelbër në Maqedoni
Konkurrenca jolojale , ekonomia informale, dhe nevoja për zgjidhjen e statusit juridik të tregtareve, janë problemet që kërkojnë zgjidhje emergjente theksojnë tregtarët e Maqedonisë.

Drejtuesit e tregjeve të gjelbra të vendit thonë se është më se e nevojshme të miratohet një ligj i veçantë që do të rregullojë punën në tregjet e gjelbra me ç'rast do të zgjidhej dhe statusi juridik i tregtarëve të cilët paguajnë tatim me rregull ndaj shtetit.

“Përmes këtij ligji do të mundësohej, ose më saktësisht do të iniciohej dhe vetëpunësimi i atyre tregtarëve që punojnë në tregjet e gjelbra , të cilët njëherësh do të mund të siguronin të drejtën e sigurimit pensional dhe atë shëndetësor që është me shumë rëndësi për këtë kategori të punëtorëve që punojnë në kushte të vështira pune, gjegjësisht në ambient të hapur gjatë të gjitha stinëve të vitit”, thekson kryetari i grupit të tregjeve në kuadër të Odës Ekonomike të Maqedonisë, Bllagoj Divitarov.

Kërkesa për rregullimin e statusit juridik të tregtarëve është bërë që në vitin 2008, madje edhe dikasteri i ekonomisë, gjatë vitit të kaluar, ka hartuar një propozim ligj, por i njëjti akoma nuk ka hyrë në procedurë parlamentare.

“Ajo që mund të them është se iniciativa ynë të cilën e kemi ngritur pesë vite më parë, është që të zgjidhet statusi i 'tezgaxhinjëve' që ai të mund në mënyrë legale dhe të ligjshme të kryejë aktivitetin e vet, aty ku e ka vendin e punës”, thekson Ekrem Dolek, kryetar i Odës së Tregtarëve të Maqedonisë.

Sipas tij, nëse tregtarët të cilët janë lojalë duke shlyer obligimet ligjore, u sigurohen privilegje nga shteti, kjo do të inkurajojë edhe ata të cilët shesin në “të zezë” që të paraqesin fitimin gjatë shitjes së prodhimeve, qofshin ato prodhime bujqësore, ose tregti në pakicë.

Patjetër të zgjidhet statusi i 'tezgaxhinjëve', veçanërisht duke marrë parasysh se ekzistencën e vetë duke punuar në tregjet e gjelbra në Republikën e Maqedonisë e sigurojnë më shumë se 20 mijë familje. Ky numër aspak nuk është i vogël dhe as që bëhet fjalë për një numër që shteti me politikat e veta të mund ti lë pas dore duke qenë temë e bisedimeve dhe kritikave deri më sot gati, 23 vite", shprehet Dolek.

Nga ana tjetër, Predrag Milosavljeviq, drejtor i tregut të gjelbër të Shkupit, konsideron se nëse rregullohet çështja e tregtarëve të cilët paguajnë tatim dhe kryejnë të gjitha obligimet ndaj shtetit, atëherë sipas tij, edhe lufta kundër ekonomisë joformale do të jetë me e suksesshme.

Duke theksuar se kontrollet nga ana e inspektoriatit të punës nuk rezultojnë me sukses përderisa “gjobat” për tregtarët në “të zezë” janë të ulëta dhe njëkohësisht privilegjet për ata që paguajnë tatim dhe shlyejnë obligimit ndaj shtetit nuk janë evidente.

Problemi me inspektimin e punës së tregtarëve në tregjet e gjelbra qëndron në atë se ky kontroll nuk bëhet në vazhdimësi, ngase pas çdo inspektimi situata 'pastrohet në treg', por vetëm pas disa ditësh prodhimet e tyre janë në tokë dhe i bëjnë konkurrencë jolojale atyre që janë të ndershëm dhe respektojnë ligjet”, vlerëson Milosavljeviq.

Ndryshe Maqedonia brenda një viti shënon humbje prej 700 deri 800 mijë euro si pasojë e funksionimit të ekonomisë joformale, thonë të dhënat e drejtuesve të tregjeve të gjelbra.
XS
SM
MD
LG