Ndërlidhjet

Gjorgjeviq kërkon falje për krime lufte në Kosovë, dhe zbutje dënimi


Vllastimir Gjorgjeviq
Vllastimir Gjorgjeviq
I kërkoi falje familjeve, të paktën 724 shqiptarëve që u vranë në luftën e Kosovës, me shpresën se do t’i zbutet dënimi prej 27 vjet burgimi.

Ish-zëvendës ministri i punëve të brendshme të Serbisë, Vllastimir Gjorgjeviq pranoi para gjykatës së Hagës që në vitin 1999 në Kosovë janë kryer krime lufte kundër shqiptarëve.

“I kërkoj falje të gjitha viktimave dhe familjeve të shpërngulura për krimet e kryera [ndaj tyre]”, ka thënë gjenerali Gjorgjeviq në fjalën e tij përfundimtare, në shqyrtimin e apelit të verdiktit që lëshoi Tribunali i Hagës në shkurt të vitit 2011.

Ish-gjenerali i policisë së Serbisë, i tha trupit gjykues se roli i tij në terrorizimin e shqiptarëve në Kosovë ka qenë anësor, e jo kyç.

Avokati i tij, Russel Hopkins, i tha gjykatës së Hagës që përgjegjësia e Gjorgjeviq në këto krime lufte “është zmadhuar, andaj edhe dënimi është shumë i madh”.

Sipas tij, e vetmja arsye përse klienti i tij nuk ka pranuar fajësinë më përpara në gjykimin që iu bë në Hagë, ishte se aktakuza fillestare e ngarkonte atë me dënim më të madh, dhe i atribuonte atij një rol shumë të madh, sesa atë që ka pasur realisht.

Hopkins kontestoi para gjykatës të hënën verdiktin, duke thënë se klienti i tij “ishte veç një zëvendës-ministër si shumë të tjerë” dhe se sjellja e tij “nuk ishte kriminale.”

“A ka mundur të bëjë më mirë? Sigurisht. Por a ka qenë sjellja e tij aq e keqe sa që ishte kriminale”, Hopkins citohet nga media holandeze expactica.com t’i ketë thënë gjykatësve.

Mirëpo vet gjenerali i pensionuar i policisë së Serbisë u foli ndryshe gjykatësve.

“Pendohem përse nuk i jam kundërvënë ministrit...Për këtë ndjej faj...Kam pasur një rol të caktuar në të gjithë këtë, dhe mendoj se duhet të dënohem”, citon B92 Gjorgjeviq.

Lidhur me inercionin e tij me heshtjen dhe mbulimin e krimeve të luftës të kryera në Kosovë, Gjorgjeviq thotë se ishte “i margjinalizuar” dhe me këtë arsyetoi pse nuk ka ndërmarr asnjë lloj hetimi për të sjell dorasit para drejtësisë.

“E kuptoj se me këtë [mosveprim] i kam shkaktuar edhe më shumë dhembje atyre që kanë humbur më të dashurit, dhe më vjen keq për këtë”, citohet të ketë thënë Gjorgjeviq.

Tri vjet më parë, gjykata e Hagës gjeti gjeneralin e pensionuar të policisë së Serbisë përgjegjës për deportim me dhunë të shqiptarëve, vrasjen e shqiptarve në gjysmëvjetorin e parë të vitit 1999, ndërsa llogaritet si zyrtari më i lartë serb i gjykuar për krime lufte në Kosovë.

Veprat penale për të cilat është dënuar Vllastimir Gjorgjeviq kualifikohen si vepra kundër njerëzimit, dhe thyerje e zakoneve dhe ligjeve të luftës.

Gjenerali serb është gjetur fajtor për shpërnguljen e qindra mija shqiptarëve nga shtëpitë e tyre, si dhe për vrasjen dhe zhvendosjen e trupave të të paktën 724 civilëve shqiptarë në varrezat masive në Batajnicë, Petrovo Sello dhe në liqenin e Peruqacit.

Prokuroria e Hagës në fjalën përfundimtare të apelit të verdiktit, ka kërkuar që Tribunali të rrit edhe më shumë dënimin për Vllastimir Gjorgjeviq, që në vend të 27 vjet burgim, atë ta dënojë me burgim të përjetshëm.
XS
SM
MD
LG