Ndërlidhjet

Nëse Serbia zbaton marrëveshjen, “nuk ka kushte të reja”


Beograd
Beograd
Ambasadori i Gjermanisë në Beograd, Heinz Vilhelm, ka thënë se nuk ka kushte të reja për Serbinë që të marrë datën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nëse ajo ndërmerr hapa konkretë për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit.

“Nuk do të ketë kurrfarë kushtesh të reja, që do të nxirren nga mënga. Nuk është kusht për Serbinë as që të njohë pavarësinë e Kosovës, gjë që e kemi përsëritur disa herë”, ka thënë Vilhelm për “Veçernje Novosti”.

Ai është shprehur i bindur se Serbia është “absolutisht” më afër datës së negociatave evropiane, pas pajtimit për planin e zbatimit të Marrëveshjes me Kosovën, i cili, siç ka thënë Vilhelm, “është thelbësor për Gjermaninë dhe vendet e tjera të BE-së”.

“Por, kjo nuk është e gjitha. Duhet të bëhen hapat e parë konkretë në zbatimin e marrëveshjes, në mënyrë që Qeveria dhe Parlamenti i Gjermanisë të dakordohen për t’i ndarë Serbisë datën e negociatave”, ka thënë Vilhelm.

Gjermania ka qenë në mesin e vendeve më të zëshme të BE-së, të cilat kanë kushtëzuar Serbinë me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, nëse do që të avancojë në integrimin evropian.

Kosova ka miratuar të premten e kaluar planin e zbatimit të marrëveshjes për normalizim të marrdhënieve me Serbinë, ndërsa kjo e fundit ka bërë një gjë të tillë të dielën.

Këto vendime janë mirëpritur nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e cila ka qenë edhe ndërmjetësuese e bisedimeve politike midis Kosovës dhe Serbisë.
XS
SM
MD
LG