Ndërlidhjet

Maqedoni: Ristrukturimi i opozitës, shans për dialog


Një ditë pas zgjedhjes së Zoran Zaevit në krye të partisë më të madhe opozitare LSDM, BDI-ja ka bërë thirrje për realizimin e dialogut politik të sugjeruar në vazhdimësi nga ana e Brukselit zyrtar.

Deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti Devaja, konsideron se konsolidimi i LSDM-së i hap rrugë bashkëpunimit parlamentarë në shtytjen e proceseve që lidhen me integrimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike.

“BDI parimisht mirëpret zgjedhjen e kryetarit të ri të LSDM-së, jo për shkak të emrit apo personalitetit, apo emrit por për shkak se kjo parti politike ka nevojë për një konsolidim të radhëve të brendshme dhe strukturim serioz politik për t'u bërë një parti e mirëfilltë opozitare e cila do të jetë kritike konstruktive e proceseve politike të cilat i implementon qeveria".

"Po nga ky aspekt mendojmë se ishte më se i nevojshëm rumbullaksimi i këtij procesi të zgjedhjeve të brendshme në LSDM dhe përzgjedhja e liderit të ri, veçanërisht për shkak se kjo parti politike është në fakt dhe aktori kyç në procesin e zbardhjes së incidentit të 24 dhjetorit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, i cili tanimë është shndërruar dhe në kriter politik nga ana e Komisionit Evropian për Maqedoninë”, shprehet Ermira Mehmeti Devaja.

Por i të njëtit mendim nuk është edhe lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, njëherazi edhe kryeministër i Maqedonisë.

Sipas tij, pas liderit të ri të LSDM-së edhe më tej mbetet timoni në duart e Branko Cërvenkovskit.

Ndërkohë partitë më të vogla të cilat ishin dhe pjesë e koalicionit parazgjedhor që në masë të konsiderueshme filloi mos funksionoj siç janë shprehur disa herë në opinion “si pasojë e mospajtimeve me politikën jokoherente të Branko Cërvenkoskit”, zgjedhjen e Zaevit në kryet të LSDM-së e shohin si shans për konsolidimin e një opozite të fuqishme e cila do të mund të korrë fitore në zgjedhjet e ardhshme dhe njëherësh t'i bëjë ballë politikës së kryeministrit Nikolla Gruevski.

“Besoj se do të respektohen të gjitha marrëveshjet për të cilat kemi rënë ujdi si front opozitar dhe besoj se kjo është në interes të të gjithëve që t'i bëhet ballë politikave shkatërruese si në planin ekonomik ashtu dhe atë politik të qeverisjes aktuale”, është shprehur deputetja Roza Topuzovska Karovska, nga Partia Liberale.

Nga ana tjetër, lideri i Partisë së Re Social-Demokrate Tito Petkovski, vlerëson se duhet përshëndetur procesi demokratik gjatë përzgjedhjes së liderit të ri në LSDM.

“Pres që një lider i cili është dëshmuar gjatë menaxhimit të më shumë firmave private që kanë rezultuar me sukses, pastaj fitorja disa herë radhazi në komunën e Strumicës lë hapësirë për të shpresuar shumë në kapacitetet menaxhuese të Zoran Zaevit, tani në krye të LSDM-së, kjo i hap rrugë dhe bashkëpunimit të të gjitha partive në opozitë që kanë orientim të kundërt nga qeverisja aktuale në krye me Nikolla Gruevskin”, është shprehur Tito Petkovski nga PRSDM.

Ndryshe, kryetari i komunës së Strumicës, Zoran Zaev, është zgjedhur lider i ri i LSDM-së, me ç'rast ka premtuar se me të si lider, LSDM do ta fitojë VMRO-DPMNE-në.

“Duke qenë lider i LSDM-së do ta deklasojmë VMRO-DPMNE-në”, theksoi kryetari i sapozgjedhur Zaev.

Ai përmes një letre drejtuar mediave vlerëson se LSDM-ja përmes procedurës zgjedhore ka përcaktuar standarde, kritere dhe vlera të reja në veprimin politik në Maqedoni.

"Nga ky kongres i LSDM del krenare dhe me dinjitet. E bashkuar, e fuqishme, triumfuese. Ky moment i yni festiv që të gjithë e merituam i hap rrugë një varg sukseseve që vijojnë. Jam i vetëdijshëm se veçmas prej sot na pret shumë punë", theksohet në letrën e firmosur nga Zaev.
XS
SM
MD
LG