Ndërlidhjet

Thaçi: Marrëveshja s’do ngecë për shkak të Kosovës


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot ambasadorët e Bashkimit Evropian të akredituar në Kosovë, të cilët i ka njoftuar për procesin e zbatimit të marrëveshjes së arritur më 19 prill në Bruksel, në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Thaçi ka bërë të ditur se pas miratimit të planit të implementimit, Qeveria ka miratuar dhe më pas ka proceduar në Kuvend ligjin për ratifikimin e marrëveshjes.

Thaçi ka njoftuar ambasadorët edhe për themelimin e grupeve punuese për implementimin e Marrëveshjes së 19 prillit dhe ka bërë të ditur se është autorizuar zëvendëskryeministrja Edita Tahiri që ta koordinojë këtë proces.

“Grupet janë në Bruksel dhe unë besoj që do të kemi rezultate pozitive”, ka theksuar kryeministri Thaçi.

Ai po ashtu është shprehur i bindur se do të prodhohen argumente të mjaftueshme në terren, në mënyrë që me 28 qershor, Kosovës t’i jepet negocimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si hap i parë në rrugën e gjatë drejt anëtarësimit në BE.

“Është e rëndësishme që MSA të jetë substanciale dhe procesi në fund të rezultojë me Kosovën si anëtare e barabartë e BE-së”, ka deklaruar kryeministri Thaçi.

Ai ka siguruar ambasadorët e BE-së se zbatimi i marrëveshjes nuk do të ngecë apo vonohet për shkak të Kosovës, por ka thënë se pret që edhe Serbia të ndajë të njëjtin përkushtim.
XS
SM
MD
LG