Ndërlidhjet

Për zgjedhjet komunale në Kosovë, dy data: 20 dhe 27 tetor


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në takimin që ka zhvilluar sot me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, e ka biseduar çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Në një komunikatë për media, të publikuar nga zyra e presidentes, citohet ligji aktual, sipas të cilit zgjedhjet lokale "duhet të mbahen përfundimisht deri më datën 15 dhjetor, ndërsa sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, zgjedhjet për katër komunat në veri të Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, duhet të mbahen brenda muajit tetor".

"Për të respektuar marrëveshjen e arritur në Bruksel mbeten datat 20 dhe 27 tetor si data të mbajtjes së zgjedhjeve komunale në gjithë territorin e Republikës së Kosovës", thuhet në komunikatë.

"Presidentja Jahjaga theksoi se zgjedhjet komunale duhet të mbahen në gjithë territorin e Republikës së Kosovës në të njëjtën kohë, sepse kështu jepet mesazhi më i mirë për të gjithë qytetarët, ndërsa për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës theksoi se është i domosdoshëm angazhimi dhe përkrahja e OSBE-së".

Zoti Zbogar citohet të ketë thënë se "zgjedhjet duhet të jenë të drejta, të lira dhe të ndershme dhe të kenë pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve dhe me këtë premtoi ndihmën e OSBE-së dhe angazhimin konkret". (a.v.)
XS
SM
MD
LG