Ndërlidhjet

Rasti Snowden: Kërkesa për azil në shumë shtete


Edward Snowden
Edward Snowden
Ish-kontraktori i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara, Edward Snowden, raportohet se ka kërkuar azil në dhjetëra shtete.

Kompania në Internet, WikiLeaks, tha sot se Snowden ka kërkuar azil në 21 vende.

Në mesin e shteteve, nga të cilat në emër të Snowdenit është kërkuar azil, janë Austria, Bolivia, Brazili, Kuba, Finlanda, Gjermania, India, Italia, Irlanda, Rusia, e të tjera.

Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle, sot në një konferencë për shtyp në Berlin, ka konfirmuar se Gjermania e ka marrë kërkesën për azil nga ish-kontraktori i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, Edward Snowden.

Sipas tij, kjo kërkesë shqyrtohet sipas ligjit.

Tashmë disa vende kanë thënë se kërkesa nuk i plotëson kushtet e parapara për azil, raporton AFP, pasi ajo duhet të bëhet brenda vendit, nga i cili personi kërkon azil.

Brazili tha se nuk do t’i japë azil Snowdenit, ndërsa presidentët e Bolivisë dhe të Venezuelës janë shprehur në favor të dhënies së azilit për Edward Snowden, i cili kërkohet nga Shtetet e Bashkuara, për dhënien e informacioneve për programet sekrete të vëzhgimit.

Zyrtarë të lartë rusë kanë thënë se Snowden e ka tërhequr kërkesën e tij për azil në Rusi.
XS
SM
MD
LG