Ndërlidhjet

Kosova-Serbia mbyllin kapitullin e zgjedhjeve


Ilustrim
Ilustrim
Prishtina dhe Beogradi janë pajtuar në Bruksel për rolin që do ta ketë Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) gjatë zgjedhjeve të ardhshme komunale në Kosovë, që do të zhvillohen më 3 nëntor.

Përmes një komunikate për medie, qeveria e Kosovës njofton se negociatat e grupeve punuese për zgjedhjet “janë përmbyllur me sukses”.

“Në agjendë të këtyre takimeve ishte definimi i rolit lehtësues të OSBE-së në katër komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës, ku me këtë rast u arritën konkluzionet për këtë çështje dhe ky rol lehtësues i BE-së do të përcaktohet përmes një marrëveshjeje teknike në mes të Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës (KQZ) dhe OSBE-së që pritet të nënshkruhet së shpejti”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve do të ndërmerren nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përfshirë lista e votuesve, regjistrimi dhe certifikimi i partive politike, akreditimin e vëzhguesve të zgjedhjeve, kodin e mirësjelljes së subjekteve politike, kandidatëve të tyre dhe mbështetësve, procedurat e votimit, numërimit dhe shpalljes së rezultateve, etj.

Dy palët negociatore janë pajtuar po ashtu se zgjedhjet lokale do të mbahen në tërë territorin e Kosovës dhe sipas ligjit për zgjedhjet, standardet ndërkombëtare dhe Kushtetutës së Kosovës.

Pala kosovare ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të organizuar zgjedhje të lira dhe demokratike ku çdo qytetari pa dallim, do t’i mundësohet e drejta për të votuar dhe për t’u zgjedhur dhe se të gjitha komunitetet do të përfaqësohen proporcionalisht në mekanizmat përkatës të organizimit të zgjedhjeve.

Sipas komunikatës së qeverisë në Prishtinë, në bisedimet e mbajtura në Bruksel, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ishte e shoqëruar nga Valdete Daka, kryetare e KQZ-së, Abedin Mehmeti, kryeshef i ARC-së.
XS
SM
MD
LG