Ndërlidhjet

Vriten gjashtë ndërmjetës sirian


(Ilustrim)
(Ilustrim)
Ushtarë lojal ndaj regjimit të Presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad kanë vrarë gjashtë ndërmjetës që ishin dërguar atje për të arritur pajtimin në mes të sekteve të ndryshme në krahinën Homs.

Negociatorët ishin pjesë e Komitetit për Pajtim Kombëtar të cilin e kishte krijuar vet qeveria që të nxisë bisedimet për t’i dhënë fund konfliktit dy vjeçar i cili deri më tash ka marrë jetën e 100 mijë personave.

Vrasjet që ndodhën mbrëmjen e së hënës, nënvizojnë sfidën në rritje të ndërmjetësimit në mes të qyteteve që mbahen nga grupet rebele dhe atyre që kontrollohen grupet militare pro Asadit, të njohura me emrin “shabbiha”.

Luftimet e fundit në një zonë rurale në krahinën perëndimore të Homsit, pjesë e një korridori strategjik në mes të kryeqytetit Damaskus dhe zona që i kontrollon Presidenti Asad në bregdetin mesdhetar, ka ndërlikuar marrëdhëniet në mes të komuniteteve fqinje dhe rrezikon që të nxisë një konflikt sektarian në atë rajon.

Krahina e Homsit është një rajon i përzier qytetesh i përbërë nga shumica e margjinalizuar e myslimanëve Sunnii që e kanë përkrahur revoltën kundër Assadit dhe qyteteve ku jetojnë sekte minoritare që në masë të madhe e kanë përkrahur presidentin.

Kristianët dhe Alavitët, një sekt i Shiitëve të cilit i përket edhe vet Bashar al-Assad, zakonisht përmendin frikën për rritjen e grupeve radikale Suniite në mesin e opozitarëve.

Forcat e Assadit, të përkrahura nga Kristianët dhe grupet e armatosura Alavite, kanë kryer më sukses disa ofenziva në atë rajon. Rebelët suniit tani po luftojnë me qëllim që të mbajnë një lloj kontrolli në atë rajon.

Të gjashtë negociatorët kanë bërë përpjekje që të nisin bisedime në qytetin Suniit të al-Zara dhe qytetin alavit Qameira, në mes të cilave ka pasur konflikt të armatosur për disa ditë.

Shumica e banorëve vendor besojnë që ekipi negociator është vrarë me miratim të heshtur nga zyrtarët qeveritarë.

Një video e publikuar nga Obzervatoriumi Sirian për të Drejtat e Njeriut tregon një rend të kufomave brenda qeseve të zeza, shoshitur nga plumbat dhe të mbuluar me lule.

Pjesa perëndimore e këtij shteti ka qenë një rajon relativisht i qetë që ka shërbyer si zonë për refugjatët të cilët largoheshin prej luftimeve nëpër qytete të mëdha.

Banorët vendës thonë se pajtimi në mes të komuniteteve të ndryshme po bëhet gjithnjë e më i vështirë edhe në zonat rurale ku vendasit ishin në gjendje që të negocionin armëpushime në mes të banorëve, forcave të Assadit dhe rebelëve.
XS
SM
MD
LG