Ndërlidhjet

S'ka përparim për "Mbrojtjen Civile" e çarmatosjen në veri


Ilustrim
Ilustrim
Prishtina dhe Beogradi nuk arrijnë progres në zhbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile” dhe çarmatosjen e serbëve në veri të Mitrovicës, njofton qeveria e Kosovës.

Dy delegacionet janë takuar të martën dhe të mërkurën në Bruksel ku kanë biseduar për modalitetet e gjetjes së zgjidhjes për zhbërjen e plotë të strukturave paralele të Serbisë në fushën e sigurisë që veprojnë në veri, dhe integrimin e serbëve në strukturat e policisë së Kosovës.

Sipas një komunikate të qeverisë, kryesuesja e delegacionit të Prishtinës, Edita Tahiri ka bërë me dije se “në këto takime nuk janë shënuar përparime konkrete drejtë zbatimit të marrëveshjes dhe se vazhdojnë të mbeten të hapura disa çështje relevante siç janë zhbërja e të ashtuquajturës mbrojtje civile si dhe çështja e dorëzimit të armëve, për arsye se pala serbe nuk ka pranuar të diskutoj për këto çështje”.

Delegacioni kosovar ka kërkuar që edhe Serbia ti përmbush obligimet zbatuese duke qenë se ka ngecje të theksuara në këtë drejtim.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri është takuar në Bruksel edhe me Fernando Gentilini Drejtorin për Ballkanin Perëndimor të Shërbimit të Jashtëm të BE-së, të cilit ia ka përcjell shqetësimit e qeverisë për incidentet e fundit në kufi me Serbinë, me shfaqjen e xhandarmerisë serbe në fshatin Karaqevë.

“Serbia menjëherë duhet të ndal provokimet e tilla” citohet të ketë thënë Tahiri ndërsa shtohet se nga Bashkimi Evropian “kërkoi që të ndihmojë në tejkalimin e situatave të tilla”.

Siç thuhet në komunikatën e qeverisë, diplomati evropian Gentilini “premtoi se BE-ja do të angazhohet për trajtimin e shqetësimeve të ngritura nga pala e Kosovës” rreth incidentit në komunën e Kamenicës, dhe që ka theksuar se “serioziteti dhe maturia në këtë proces është një faktor i rëndësishëm për suksesin e këtij dialogu dhe perspektiven evropiane të të dyja vendeve”.
XS
SM
MD
LG