Ndërlidhjet

Jahjaga flet për "mini-Shengenin" e Ballkanit në Bërdo


Presidentët e Ballkanit Perëndimor së bashku me presidentin francez, Francois Holland pjesëmarrës në samitin e Bërdos, Slloveni - 25 korrik 2013
Presidentët e Ballkanit Perëndimor së bashku me presidentin francez, Francois Holland pjesëmarrës në samitin e Bërdos, Slloveni - 25 korrik 2013

Në Bërdo të Sllovenisë ka filluar konferenca e presidentëve të Ballkanit Perëndimor në të cilin do të marrë pjesë edhe presidenti francez, Francois Hollande.

Organizatorë të konferencës janë presidentët e Kroacisë dhe Sllovenisë, Ivo Josipoviq dhe Borut Pahor.

Në mesin e presidentve ballkanas pjesëmarrës do të jenë edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ai i Serbisë, Tomisllav Nikolliq.

Presidentja kosovare në fjalimin e saj ndër të tjera e ka përmendur idenë e një “mini - Shengeni” ballkanas si formë e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Bashkëpunimi ynë mund të marrë formën e një të ashtuquajturi “mini -Shengeni”, si dhe atë të praktikave të mira evropiane nëpërmes të cilave vendet aspiruese mund të zhvillojnë marrëdhënie më të ngushta bilaterale dhe bashkëpunim regjional, të investojnë në ndërtimin e mekanizmave dhe politikave të cilat do të ushqejnë bashkëpunimin ekonomik, të krijojnë mundësi dhe shtytje për njëri-tjetrin në mënyrë që të stimulojnë zhvillimin ekonomik, të intensifikojnë numrin e projekteve të përbashkëta të investimeve kapitale, duke përthithur fonde të Bashkimit Evropian apo fondeve të ndryshme zhvillimore” ka thënë ndër tjera presidentja e Kosovës.

Konferenca e ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik në mes shteteve, rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian, zgjerimi i BE në drejtim të rajonit si dhe çështjet rreth sigurisë së rajonit dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.
XS
SM
MD
LG