Ndërlidhjet

WSJ: Protestat e pafundme të Bullgarisë


Bullgari
Bullgari
Këto ditë Bullgaria është në titujt ndërkombëtarë të lajmeve, por jo për shkaqe të gëzueshme, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja Wall Street Journal dhe shpjegon se për 45 ditë ka pasur protesta të përditshme, të cilat vazhdojnë, kundër qeverisë. Në këto protesta marrin pjesë dhjetëra mijëra njerëz.

Javën e kaluar, protestuesit e bllokuan Parlamentin e Bullgarisë, ku ende vazhdonte seanca, duke i detyruar ministrat dhe deputetët që aty ta kalojnë një natë pa gjumë.

Policia ka bërë përpjekje të kota për largimin e barrikadave, duke i lënduar disa protestues dhe kjo ka ndikuar vetëm në shtimin e radhëve të demonstruesve.

E përditshmja Wall Street Journal shkruan se këto demonstrata, janë më të gjatat deri tash, prej vitit 1990, kur filloi demokracia.

Ndonjë i jashtëm mund të thotë se protestat anti-qeveri nuk janë të pazakonshme në Evropën e ditëve të reja. Vetëm shikoni në Greqi, Portugali ose Spanjë. Por, protestat në Bullgari nuk janë të llojit anti-kursim.

Gjendja fiskale e Bullgarisë është në rregull, shkruan gazeta Wall Street Journal dhe i jep disa të dhëna sipas agjencisë Eurostat; në vitin 2012 ky vend e kishte borxhin e dytë më të ulët sipas shkallës së GDP-së në Bashkimin Evropian, në masën 17%; e kishte deficitin e buxhetit të katërtin më të ulët në BE, në shkallën 0.6%.

Në Bullgari shtrëngimi i rripit është gjë e së kaluarës. Rroga minimale është rritur 30% gjatë dy viteve të fundit, ndërsa pensionet janë rritur për 10% në muajin Prill.

Përse pra bullgarët po dalin në rrugë, e shtron pyetjen e përditshmja Wall Street Journal dhe përgjigjet se ata dëshirojnë që Bullgaria të bëhet shtet normal dhe ata janë lodhur të ndjehen si evropian të shkallës së dytë.

Në një hulumtim të opinionit nga agjencia Eurobarometer, që është publikuar javën e kaluar, 51% e bullgarëve thanë se ata nuk ndjehen si shtetas të Bashkimit Evropian. Vendi i tyre u anëtarësua në BE në vitin 2007 me pritje të mëdha.

Me ndihmën nga Brukseli, njerëzit shpresonin se të ardhurat dhe investimet do të rriteshin, rrugët do të ndërtoheshin, administrata do të modernizohej dhe gjurmët e fundit të komunizmit përgjithmonë do të zhdukeshin. Shkurt, Bullgaria do të shndërrohej në shtet normal, në të cilin ju mund t’i rrisni fëmijët tuaj, shkruan Wall Street Journal.

Por, gjërat nuk lëvizën në këtë drejtim. Investimet u ngritën dhe sollën rritje të të ardhurave deri në njëfarë mase, por jo ashtu siç kishin shpresuar njerëzit.

Prej fillimit të tranzicionit në demokraci, jetëzgjatja është rritur për shtatë vite, për shkak të dyfishimit të buxhetit për kujdes shëndetësor dhe për shkak të rënies rapide të pirjes së duhanit.

Parat nga Brukseli kishin rezultuar me ndërtim të infrastrukturës, veçanërisht gjatë qeverisë së mëparshme, të udhëhequr nga Boyko Borisov.

Por, shenjat e periudhës së komunizmit janë ende gjerësisht të pranishme në Bullgari. Ato e parandalojnë vënien e normalitet.

Mbetet të shihet se sa gjatë qeveria aktuale, e udhëhequr nga kryeministri Plamen Oresharski, do të qëndroj në zyrë, shkruan e përditshmja Wall Street Journal.

Gjasat duken se nuk janë të një mandati të gjatë. Por, kushdo që në të ardhmen vjen në udhëheqje, do të ballafaqohet me frustracione të njëjta. Tri reforma të thella janë të nevojshme për politikanët bullgarë, që ta fitojnë rritjen e besimit në mesin e votuesve.

E para është reforma e shërbimeve të sigurimit shtetëror, përfshirë kufizimin e involvimit të ish-pjesëtarëve të saj në jetën publike. Derisa në vendet e tjera të Evropës Lindore, vendet me të shpejtë i kanë shpërndarë policitë e tyre sekrete nga periudha komuniste, pas rënies së Bashkimit Sovjetik, asnjë qeveri nuk ka dashur ta menaxhoj këtë në Bullgari. Qeveria e zotit Borisov e ka pastruar shërbimin diplomatik nga ish-pjesëtarët e policisë sekrete, por përpjekjet më të gjëra janë zmbrapsur në parlament dhe në gjykata.

Reforma e dytë është ajo e sketorit të energjisë. Politikanë të ndryshëm e kanë përdorë sektorin e energjisë si burim të financimit ilegal politik dhe personal. Kjo është mbetje nga periudha ish-sovjetike, kur Kremlini e furnizonte Bullgarinë me çmim të lirë të naftës dhe gazit në këmbim për dëgjueshmëri.

Variante të praktikave të ngjashme ende ekzistojnë, shkruan Wall Street Journal.

Qeveria e Bullgarisë duhet ta liberalizoj sekrotin, që është i dominuar nga ndërmarrjet e kequdhëhequra nga qeveria.

Reforma e tretë është ajo e arsimit universaitar. Një hulumtim aktual i bërë për Ministrinë e arsimit të Bullgarisë ka gjetur se 52% e të diplomuarve këtë pranverë, kanë konkurruar në universitetet e jashtme. Shumica e këtyre studentëve me gjasë do t’i vazhdojnë karrierat e tyre jashtë Bullgarisë. Kjo krijon presion të jashtëzakonshëm në tregun vendës të punës, që po vjetrohet me të shpejtë, shkruan Wall Street Journal.

Këto tri reforma duhet të shkojnë dorë për dore.

Burimet që tash treten në shërbimet e sigurisë dhe në sektorin e energjisë duhet të ridrejtohen kah përmirësimi i arsimit, që në këmbim do të krijoj elektorat më të informuar për zgjedhjet e ardhshme.

Kjo do të ishte diçka, për të cilën politikanët bullgarë realisht do të duhej të shqetësoheshin, shkruan në fund të artikullit e përditshmja Wall Stret Journal.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG