Ndërlidhjet

Pa sanksione të fuqishme, Irani do të bëhet bërthamor


Hassan Rohani
Hassan Rohani
A duhet të miratojë Kongresi sanksione të reja që do të sillnin ekonominë e Iranit pranë shkatërrimit, për të ndaluar programin e tij bërthamor? Tani për tani, shumë kongresistë i janë përgjigjur me jo kësaj pyetjeje.

Kështu nisin shkrimin për gazetën “Wall Street Journal”, senatori Mark Kirk dhe kongresisti Eliot Engel.

Ata thonë se kolegët e tyre argumentojnë se sanksionet e ashpra, të miratuara nga Kongresi gjatë disa viteve të fundit, kanë ndihmuar tashmë të sjellin ndryshime në udhëheqjen e Iranit - të zëvendësojnë presidentin e linjës së ashpër, Mahmoud Ahmadinejad, me Hasan Rohanin në zgjedhjet e qershorit.

Kongresistët thonë se Rohani është një udhëheqës i moderuar, i cili është i etur për të hyrë në negociata të mirëfillta me Perëndimin, në lidhje me programin bërthamor të vendit.

Duke pasur parasysh këtë ndryshim, thonë ata, është koha që Shtetet e Bashkuara t’i ofrojnë Iranit një degë ulliri. Mënyra për të treguar besimin tonë të mirë është të shmangim vendosjen e sanksioneve më të ashpra ekonomike.

Ne nuk pajtohemi, thonë Kirk dhe Engel. Derisa respektojmë politikë-bërësit, që kanë pikëpamje të tilla dhe ndajnë qëllimin e njëjtë për një Iran pa armë bërthamore, ne nuk besojmë se lehtësimi i presionit është mënyra për arritjen e kësaj objektive.

Përkundrazi, ne jemi të bindur se hapat e menjëhershëm për rritjen e dhimbjes së sanksioneve janë mënyra e vetme për të bindur udhëheqjen iraniane që të ndryshojë kursin.

Republika Islamike, njëri nga regjimet më brutale në botë, është në prag të kapacitetit bërthamor. Ideja e diktatorëve që shpërfillin vlerën e jetëve njerëzore në vend dhe zotohen për gjenocid jashtë vendit, duhet të frikësojë çdo amerikan.

Për të qenë më të qartë: Irani nuk ka mbajtur zgjedhje të lira dhe të drejta këtë verë.

Populli iranian ka qenë i detyruar të zgjedhë në mes të një grupi të zyrtarëve të regjimit, të cilët janë verifikuar dhe zgjedhur me kujdes nga udhëheqësi suprem, Ali Khamenei. Mbi 600 kandidatë të mundshëm janë diskualifikuar. Reformatorët janë mbajtur nën arrest shtëpiak. Interneti është kontrolluar fuqishëm në javët para zgjedhjeve.

Në fund, Rohani ka fituar. Edhe pse fjala “i moderuar” i paraprin shpesh emrit të tij në lajme, presidenti i ri i Iranit nuk është reformator. Për më shumë se dy dekada, ai ka shërbyer si përfaqësuesi personal i udhëheqësit suprem në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Iranit. Këshilli mbikëqyr një gamë të aktiviteteve të paligjshme - nga shtypja e protestave studentore në vend deri te mbështetja e grupeve terroriste, të tilla si Hezbollahu.

Derisa presidenti Rohani bën thirrje për bisedime “serioze” me Perëndimin, rrotullimet e centrifugave të Iranit, testet raketore, komplotet e tij terroriste dhe abuzimet me të drejtat e njeriut janë përshkallëzuar, thuhet në artikull.

Pentagoni raporton se Irani mund të testojë raketë interkontinentale balistike, me kapacitet për të arritur SHBA-në, deri më 2015. Vetëm muajin e kaluar, Instituti për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare, duke përdorur të dhënat e siguruara nga inspektorët e Kombeve të Bashkuara, ka vlerësuar se Irani do të arrijë aftësinë kritike bërthamore në mes të vitit 2014.

Ne besojmë se Shtetet e Bashkuara duhet të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë jo-ushtarake për të parandaluar Iranin nga arritja e aftësisë kritike. Mjeti ynë më efektiv për të shmangur sulmin ushtarak është ashpërsimi i sanksioneve, shkruajnë Kirk dhe Engel.

Në vitin 2011, Kongresi ka zbatuar sanksione që kanë prekur bankën qendrore të Iranit dhe eksportet e naftës. Një vjet më vonë, Shtetet e Bashkuara kanë futur në listën e zezë sektorët e anijeve dhe të energjisë së Iranit. Rezultati? Qysh në dhjetor të vitit 2011, monedha e Iranit ka humbur më shumë se dy të tretat e vlerës së saj, ndërsa të ardhurat nga nafta janë përgjysmuar. Pra, sanksionet funksionojnë. Por, vakuumi mbetet dhe presioni nuk është askund pranë niveleve maksimale.

Irani vazhdon të ketë qasje në miliarda rezerva valutore të mbajtura nëpër bankat e gjithë botës. Ai vazhdon të eksportojë më shumë se një milion fuçi naftë në ditë në Kinë, Indi, Kore të Jugut dhe Japoni. Ai po ashtu vazhdon të korrë fitime enorme nga miniera, ndërtimtaria dhe inxhinieria.

Vendosmëria amerikane është kritike, sidomos në disa muajt e ardhshëm. Duke sjellë regjimin në prag të kolapsit ekonomik, Shtetet e Bashkuara mund të kthejnë këtë avantazh në zgjidhje diplomatike, duke detyruar Iranin që t’iu bindet të gjitha sanksioneve ndërkombëtare, përfshirë pezullimin e të gjitha aktiviteteve me pasurim apo ripërpunim.

Ne mund të shkojmë në rrugë të gjatë drejt arritjes së këtij qëllimi, duke nxjerrë jashtë tregut pjesën tjetër të eksporteve të naftës iraniane, duke ndërprerë qasjen e Iranit në rezervat jashtë vendit dhe duke vënën në listë të zezë sektorë strategjikë të ekonomisë së tij. Dhoma e Përfaqësuesve ka votuar muajin e kaluar me 400 vota për dhe 20 kundër miratimit të masave të tilla. Është koha për Senatin të veprojë.

Me forcimin e sanksioneve, ne nuk jemi duke bërë thirrje për fund të diplomacisë. Por, pas shumë viteve negociata të pafrytshme, është e qartë se bisedimet do të kenë sukses vetëm nëse regjimi ndjen presion për të ndryshuar kursin dhe jo si rezultat i optimizmit të gabuar për një fytyrë të re për të njëjtin regjim, i cili nuk është luhatur në aktivitetet e tij bërthamore, shkruajnë Kirk dhe Engel në gazetën “Wall Street Journal”.

Zoti Kirk është senator republikan nga Illioni. Zoti Engel, kongresist demokrat nga Nju Jorku, është anëtar i lartë i Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG