Ndërlidhjet

Shkup: Asnjë marrëveshje për “24 dhjetorin”


Ilustrim
Ilustrim
Pushteti dhe opozita në Maqedoni nuk kanë arritur asnjë marrëveshje për incidentin e 24 dhjetorit të vitit të kaluar në Kuvend.

Komisioni hetimor ka punuar deri pas mesnate, por VMRO-DPMNE dhe Lidhja Social-Demokrate nuk kanë arritur të hamonizojnë qëndrimet për të dalë me një raport të përbashkët mbi shkaqet që kanë çuar në dëbimin me forcë të deputetëve të opozitës nga salla e Kuvendit dhe të gazetarëve, të cilët po ndiqnin seancën ku debatohej për buxhetin.

“Edhe përkundër shumë përpjekjeve, kanë mbetur disa çështje të hapura. Tani, të gjitha opsionet janë të hapura; shpresoj se do të gjejmë forcë që ta përfundojmë punën. Takim të liderëve të partive me siguri se nuk do të ketë; komisioni do të tentojë të zgjidhë çështjet kontestuese”, ka deklaruar kryetari i komisionit hetimor, Borçe Davitkovski.

Dallimet mes dy palëve kryesisht kanë të bëjnë me përgjegjësinë.

Opozita kërkon që Komisioni të konstatojë se me aktin e dëbimit me dhunë të deputetëve të saj, Kuvendi ka shkelur kushtetutën e vendit, por nga VMRO-ja kundërshtojnë një konstatim të tillë dhe kërkojnë një formulim tjetër që do të shmangte përgjegjësinë e pushtetit.

Në rast të konstatimit se puna e komisionit ka dështuar, do të dështonte edhe marrëveshja e 1 marsit mes dy palëve, e arritur me ndërmjetësimin e Komisionarit për Zgjerim të BE-së, Stefan Fuele.

Dështimi i marrëveshjes do të nënkuptonte marrje të raportit negativ të Komisionit Evropian për Maqedoninë, që do të rrezikonte edhe humbjen e rekomandimit për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.
XS
SM
MD
LG