Ndërlidhjet

Ushtria irakiane injoron thirrjet e banorëve të Bagdadit


(Ilustrim)
(Ilustrim)
Dëshmitarët në Irak thonë se ushtria kishte injoruar thirrjet e banorëve të një lagje të Bagdadit për të ekzaminuar një veturë të parkuar, e cila më pas doli të jetë një veturë bombë, shpërthimi i së cilës morri jetën e jo pak personave.

"Njerëzit i kanë thirrur ushtarët që të vijnë e ta ekzaminojnë veturën që ishte lënë e parkuar këtu, por askush nuk erdhi. Ata kanë thirrur disa herë prap, por thirrjet nuk i dëgjoi askush. Tani mund ta shihni me sytë tuaj se çfarë dëmi ka shkaktuar bomba që ishte vendosur në të”, i ka thënë Reutersit një banor i lagjes që u godit nga shpërthimi.

Policia dhe punonjësit shëndetësorë në Bagdad thonë se nga një seri e sulmeve me bomba janë vrarë së paku 29 vetë dhe dhjetëra të tjera janë plagosur.

Gjatë muajve të fundit, nga vala e dhunës në gjithë Irakun, janë vrarë së paku 3 mijë vetë.

Shumica e vrasjeve janë bërë për shkak të tensioneve sektare ndërmjet shumicës myslimane sunite dhe pakicës myslimane shiite.
XS
SM
MD
LG