Ndërlidhjet

Borchardt: Hetimet po vazhdojnë, kërkohet durim


Shefi i misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, Bern Borchardt, thotë se hetimet lidhur me vrasjen e pjesëtarit të këtij misioni, Audrius Senavicius, po vazhdojnë dhe se kërkohet durim, në mënyrë që “policia dhe prokuroria ta bëjnë punën e tyre të pashqetësuar”.

Në një deklaratë të sotme, zoti Borchardt, ka falënderuar për gjithë mbështetjen private dhe publike dhe ngushëllimet, që misioni EULEX, i ka marrë gjatë disa ditëve të kaluara, pas vrasjes së anëtarit të misionit.

“Ky akt qyqar pa rezervë është dënuar nga zyrtarët”, tha ai dhe shtoi se “populli i Kosovës dhe i Serbisë, dhe nga gjithë bota, na është afruar për ta shprehur bashkëndjenjën dhe mbështetjen”.

Mëtutuje, siç njofton faqja në Internet e misionit EULEX, Bern Borchardt ka theksuar se si mision “ne qëndrojmë së bashku në përkujtim të humbjes së kolegut tonë të rënë dhe se është inkurajuese të shihet se sa shumë njerëz qëndrojnë së bashku me ne”.

Ai tha se “mendimet tona janë me familjen dhe miqtë e Audriusit, në këtë kohë të vështirë”.

Zoti Borchardt ka njoftuar se përpjekja e misionit është e përqendruar në sjelljen e autorit ose autorëve të këtij akti para drejtësisë.

Sipas tij, “hetimet lidhur me vrasje po vazhdojnë” dhe se do të ketë informacione për publikun lidhur me progresin e hetimeve, por tash për tash “ne kërkojmë që të keni durim në mënyrë që policia dhe prokuroria ta bëjnë punën e tyre të pashqetësuar”.
XS
SM
MD
LG