Ndërlidhjet

EULEX: Shpërblim në të holla për informacione për vrasje


Gjatë një konference për media sot në pjesën veriore të Mitrovicës, prokurorët e misionit EULEX, së bashku me Policinë e Kosovës dhe atë të EULEX-it, e kanë shpallur shpërblimin prej 27 500 eurosh, për informacione, që çojnë në arrestimin e autorit ose autorëve të vrasjes së pjesëtarit të EULEX-it, Audrius Senavicius.

Mëtutje, siç njofton misioni EULEX, në konferencën për media ishin të pranishëm Jonathan Ratel, udhëheqës nga EULEX-i i Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), Andrew Carney, prokuror udhëheqës i EULEX-it për këtë rast në PSRK, Pascal Persoons, prokuror i EULEX-it nga Task Forca Mitrovicë, kapiteni Nenad Gjuriq, ushtrues i detyrës së drejtorit të policisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës, dhe togeri Jean-Marc Baudin, hetuesi udhëheqës i EULEX-it nga Task Forca Mitrovicë.

Pascal Parsoons, duke e shpllur shpërblimin për informacion, u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve që të bashkëpunojnë me hetimet.

“Po e bëjë një thirrje personale te secili, që ka parë diçka, të tregoj”, tha Parsoons, dhe ka shtuar se çdo gjë që raportojnë qytetarët do të “trajtohet me fshehtësinë më strikte”.

Prokurori Andrey Carney ka theksuar se “njëzet hetues të aftë janë të involvuar nga ana e EULEX-it, dhe çdo ditë ne punojmë me Policinë e Kosovës”.

Ai ka njoftuar se po ndiqet “ një numër i linjave të hetimit”.

Hetimet për vrasjen e pjesëtarit të misionit evropian në Kosovë, EULEX, po zhvillohen nga ekipi i përzier i EULEX-it dhe policisë së Kosovës, nën mbikëqyrjen e dy prokurorëve të EULEX-it.

Rasti është nën autoritetin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
XS
SM
MD
LG