Ndërlidhjet

Serbia "s’e kaloi testin e pavarësisë së institucioneve"


Jelko Kacin
Jelko Kacin
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin, ka kritikuar vendimin e autoriteteve serbe për të ndaluar mbajtjen e Paradës së Homoseksualëve në Beograd.

“E drejta për tubim publik nuk u është mundësuar qytetarëve të Serbisë. Me këtë, Serbia nuk ka kaluar një test shumë të rëndësishëm të pavarësisë së institucioneve”, ka thënë Kacin, për të shtuar se vendimi për ndalimin e Paradës do të përfshihet në raportin e Parlamentit Evropian për përparimin e Serbisë.

“Serbia, për kohë të gjatë, nuk ka qenë kaq pranë vendimit për t’i thënë ‘po’ paradës. Ky vendim do të ndryshonte imazhin e Serbisë në promovimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave”, ka thënë Kacin.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se zyrtarët e sigurisë kanë vendosur të ndalojnë marshimin e së shtunës, për shkak se i janë frikësuar dhunës së vitit 2010, kur mbi 100 njerëz janë plagosur në përleshjet midis ekstremistëve dhe policisë.

Rreth 200 aktivistë homoseksualë kanë protestuar të premten vonë kundër ndalesës.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Beograd ka thënë se është “shumë e zhgënjyer” me vendimin e autoriteteve serbe.
XS
SM
MD
LG