Ndërlidhjet

Qeveria e SHBA-së përballet me mbyllje


Uashington - foto ilustruese
Uashington - foto ilustruese
Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka më pak se 48 orë për të shmangur mbylljen e shërbimeve qeveritare, si pasojë e ndarjeve politike mbi ligjin e kujdesit shëndetësor të presidentit Barack Obama.

Dhoma e Përfaqësuesve, e udhëhequr nga Republikanët, ka miratuar një version të ndryshuar të ligjit për shpenzime të Senatit, i cili heq fondet nga ligji i kujdesit shëndetësor.

Qeveria tani duhet të pajtohet për një ligj të ri të shpenzimeve para përfundimit të vitit fiskal në mesnatën e së hënës.

Nëse dështon, shërbimet joesenciale federale do të përballen me mbyllje, ndërsa punëtorët mund të lihen pa paga.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, ka thënë se secili anëtar i Partisë Republikane që ka votuar për projekt-ligjin e ri, ka votuar për ndarje. Ai ka thënë se presidenti Obama do të vërë veto mbi ligjin republikan.

Dhoma e Përfaqësuesve ka injoruar kërcënimin e vetos dhe ka votuar ndryshimet në ligj me 231 vota për dhe 192 kundër.

Senati kontrollohet nga Partia Demokratike e presidentit Obama, ndërsa Republikanët kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.
XS
SM
MD
LG