Ndërlidhjet

WSJ: Rruga për t’i mposhtur terroristët e Al-Shababit


Shkruan: Uhuru Kenyatta, president i Kenias

Xhihadistët që e sulmuan vendin tim, duhet të luftohen ushtarakisht por edhe financiarisht, prandaj të punojmë së bashku, shkruan në fillim të artikullit të tij në të përditshmen Wall Street Journal, presidenti i Kenias, Uhuru Kenyatta.

Fundjava solli lajme inkurajuese për luftën ndërkombëtare kundër terrorizmit islamik, lajme që veçanërisht ishin mirëpritur në Keni. Komandot amerikane në Libi e kanë zënë personin Abu Anas, të dyshuar për sulmet me bomba në ambasadat amerikane në Keni dhe Tanzani, në vitin 1998.

Presidenti Kenyatta shkruan se në Somali, forcat speciale të Shteteve të Bashkuara e morën në shënjestër liderin e lartë të grupit al-Shabab, që është i ndërlidhur me al-Kaidën, dhe është përgjegjës për sulmin e tmerrshëm aktual në qendrën tregtare Westgate në Najrobi.

Raportohet se nga ndërhyrja në Somali kishte pasur tërheqje, për t’i evituar dëmet ndaj civilëve, para se lideri i grupit al-Shabab, do të mund të kapej.

Disa pjesëtarë të këtij grupi janë vrarë, por nuk është menjëherë e qartë nëse lideri i lartë, që ishte në shënjestër të operacionit, ishte në mesin e viktimave.

Të gjithë ne që përpiqemi t’i luftojmë militantët islamikë duhet t’i përshëndesim këto orvatje dhe veçanërisht pas sulmit në Westgate, se bota duhet të bashkohet si kurrë më parë në luftën kundër përhapjes së dhunës nga al-Shababi jashtë Somalisë.

Para sulmit të militantëve islamikë në Najrobi, ushtria e Kenias, së bashku me partnerët tanë në forcën e Bashkimit Afrikan, vitin e kaluar, me sukses e larguam grupin al-Shabab nga qyteti bregdetar somalez, Kismayo, duke mundësuar që qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike në Somali, ta marrë kontrollin.

Ky qytet-port ishte burim kryesor i parave për terroristët, të cilët i dëbuan tregtarët legjitimë.
Megjithatë, al-Shabab ende kishte forcë për ta sulmuar kryeqytetin Najrobi, qendër kryesore e biznesit në Afrikën Lindore, ku afrikanët, amerikanët, evropianët dhe aziatikët, jetojnë pranë njëri-tjetrit.

Duket se grupi al-Shabab po e ndryshon strategjinë, nga kryengritja në sulme sporadike terroriste, brenda dhe jashtë kufijve të Somalisë.

Presidenti Uhuru Kenyatta, shkruan në Wall Street Journal, se ushtria e Kenias do të mbetet në Somali për ta mbrojtur qeverinë, derisa al-Shabab, të mos paraqes kërcënim për të ardhmen e Somalisë dhe për sigurinë rajonale.

Por, vendet në Afrikë dhe më gjërë, që mund të sulmohen nga terrorizmi i eksportuar i grupit al-Shabab, duhet ta analizojnë se çka mund të bëhet tjetër për ta luftuar këtë grup.

Shtrohet pyetja se përse djemtë dhe vajzat e reja i bashkohen al-Shababit dhe rrjetit të tij më të gjërë dhe si mund ta ndërprejmë financimin e kësaj organizate terroriste?

Megjithqë ky nuk është rast i shpeshtë me terroristët islamikë, njëri nga shkaqet themelore për somalezët, që i bashkohen al-Shababit, është varfëria.

Për ata që janë të rinjë dhe të varfër dhe në kërkim të identitetit, fanatizmi religioz mund të tregohet tërheqës, shkruan Uhuru Kenyatta në Wall Street Journal.

Dëshmitë e ish-pjesëtarëve të al-Shababit zbulojnë se shumica prej tyre ishin joshur nëpërmjet ofertave për para, ose thjeshtë nga premtimet për ushqim ditor, derisa mendjet e tyre ishin bombarduar me pikëpamjet e shtrembëruarapër një botë të dhunshme.

Për këtë arsye është themelore që investimet e bizneseve të jashtme të vazhdojnë të arrijnë në Keni dhe vendet e tjera anëtare të Komunitetit Lindor Afrikan, Burundi, Ruanda, Tanzania dhe Uganda.

Nëpërmjet përmirësimit ekonomik, të rinjtë në rajon, që mund të jenë në cak të mesazhit të grupit al-Shabab, do të kenë një shpresë tjetër për jetë më të mirë.

Njëherësh, ne në Keni po i shtojmë masat e sigurisë për t’i bindur edhe njëherë investuesit ndërkombëtarë dhe personelin e tyre të vendosur në kryeqytetin Najrobi.

Grupi al-Shabab i ka në shënjestër të rekrutimit personat e varfër, por vetë grupi është i financuar mirë. Kenia dhe partnerët tanë ndërkombëtarë i kanë identifikuar rrugët e financimit: tregtia ilegale me fildish, grabitja e remitencës ndërkombëtare, që u është drejtuar të tjerëve, dhe vjedhja e parave të dërguara për organizatat kryesore myslimane.

Në Keni ne jemi të vetëdijshëm se parat për qëllime të ndershme, siç janë shkollat dhe mirëqenia, ndonjëherë rrëmbehen për ta financuar al-Shababin, që synon dëmtimin e të gjithë kenianëve, pavarësisht nga religjioni i tyre.

Ne duhet tu garantojmë myslimanëve në shoqërinë e Kenias, që lirisht ta praktikojnë besimin e tyre. Ata duhet ta dinë se donacionet, që ata i bëjnë për komunitetet e tyre, nuk rrëmbehen për qëllime djallëzore, shkruaan presidenti Uhuru Kenyatta, në të përditshmen Wall Street Journal.

Al-Shababi dëshiron që Kenia të kthehet prapa dhe që bota t’i tërheq investimet e veta dhe mbështetjen. Ne duhet të tregojmë se ata, që e sulmuan qendrën tregtare Westgate, e kanë arritur të kundërtën, meqë Kenia dhe aleatët e saj punojnë së bashku më tepër se kurrë.

Qëllimi ynë i përbashkët është një Keni më prosperuese, e bashkuar, dhe disfata e grupit al-Shabab, shkruan në fund të artikullit të gjatë, presidenti i Kenias, Uhuru Kenyatta, në Wall Street Journal.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG