Ndërlidhjet

Banka Botërore: SHBA-të po lëvizin kah rreziku serioz


Presidenti i Bankës Botërore, Jim Yong Kim, u ka tërhequr vërejtjen Shteteve të Bashkuara se po lëvizin kah rreziku serioz, nëse ligjvënësit amerikanë dështojnë ta zgjidhin bllokadën lidhur me buxhetin dhe kulmin e borxhit.

Zoti Kim tha se Shtetet e Bashkuara dhe ekonomitë e tjera botërore, ballafaqohen me shkallë të lartë të interesit, rënie të besimit dhe rritje të ngadalshme, nëse Kongresi i Shteteve të Bashkuara, nuk e rritë kufizimin e borxhit, i cili tash është 16 700 miliardë dollarë.

Këto komente zoti Kim i bëri mbrëmë në Uashington, në mbyllje të takimeve vjetore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Thesari i Shteteve të Bashkuara ka thënë se nuk do të ketë para të gatshme të mjaftueshme për t’i paguar të gjitha faturat e vendit, nëse deri më 17 tetor nuk rritet kufizimi i borxhit.

Kjo situatë ka shkaktuar shqetësime se Uashingtoni nuk do të jetë në gjendje t’i paguajë borxhet e veta dhe kjo do të shkaktonte goditje të fuqishme në tregjet botërore financiare.
XS
SM
MD
LG